SPAK kërkon dënimin me 1.6 vite burg për komisioneren e vetingut Etleda Çiftja. Me gjykim të shkurtuar dënimi pezullohet
Gjykata e Posaçme do të shpallë në 16 shtator vendimin për anëtaren e KPK-së, Etleda Çiftja, e akuzuar nga SPAK për falsifikim dhe deklarim të rremë të dokumentave në formë përdorimi. Prokuroria kërkoi dënimin e saj me 1 vit burg të konvertuar në 2 vjet shërbim prove, ndërsa avokatët e Çiftes pretenduan për pafajësi. Me këtë pretencë zyrtarja e vettingut i shpëton dënimit me heqje lirie.
Prokuroria e Posaçme nuk tërhiqet nga kërkesa për shpalljen fajtore dhe dënimin e anëtares së KPK-së, Etleda Çiftja.
Në konkluzionet përfundimtare Prokurorja e çështjes kërkoi dënimin me 1 vit burg, të konvertuar me shërbim prove 2 vite për zyrtaren e vettingut, ndërsa vetë ajo dhe avokatët mbrojtës kërkuan pafajësi.
Vendimi pritet të shpallet i arsyetuar ditën e premte, 16 shtator, në orën 12:30 nga gjyqtari Erion Bani, i cili ka shqyrtuar kërkesën e SPAK.
Akuzat që rëndojnë mbi Çiftjan janë “deklarim i rremë” dhe “falsifikim” dokumentesh në formë përdorimi.
Ndërkohë Çiftja vijon të japë vendime si trupë gjykuese e KPK-së madje te shkarkojë edhe gjyqtarë e prokurorë për të njëjtat shkelje që ajo akuzohet.
Sipas prokurorisë, Çiftja akuzohet se ka falsifikuar 2 kontrata, mashtroi Bankën dhe ILDKPI me deklarata të rreme pasurie.
Deklarimi i rremë është kryer nga Çiftja në komisionet e përzgjedhjes së saj për një pozicion në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
SPAK thekson se kontrata reale ishte 300 mijë lekë dhe pasi e falsifikoi duke ruajtur të njëjtat ekstrakte të kontratës reale e bëri 50 mijë euro.
Gjithashtu Prokuroria thotë se Çiftja paraqiti 2 vërtetime pune në 2006, por realisht nuk ka punuar tek ato kompani dhe nuk ka paguar sigurime shoqërore.
Pas seancës gjyqtarja e KPK-së nuk bëri asnjë deklaratë në lidhje me pretencën e SPAK-ut, ndërsa avokati i saj iu shmang përgjigjes,duke akuzuar mediat se nuk ishin të pranishme kur ai foli në seancë.

