"Drejt" nis sot. Aty ku personalitetet flasin më shumë se politikanët, Luan Rama: Fjala është e shenjtë s'mund të shpërdorohet
Emisioni “Drejt” nën moderimin e Luan Ramës nis sot sezonin e dytë në orën 21:00 në RTV Ora.
Do të ketë tema të ndryshme dhe të ftuar të ndryshme. Labirintet e politikës, faktet e debati ndryshe larg atij sherrit në ekran e ku të sharat e etiketimet dominojnë mbi logjikën.
“Nuk jam i prirur të stimuloj debate për të krijuar efekt në ekran. Më thonë që duhet ti lësh njerëzit që të përplasen e të kesh më shumë ritëm. Unë debatin dhe ritmin e debatit e pranoj, por këtu në shumë ekrane debat quhet kur njerëzit zihen e dalin nga vetja e tyre e zgjidhin gjuhën duke artikuluar fjalë që nuk janë normale as etike për një ekran. Nuk e konceptoj dot, pavarësisht se kam qenë vetë në studio si politikan në panele ku të sharat e etiketimet dominojnë mbi logjikën e arsyetimit për të cilën je ftuar” thotë Luan Rama sot në mëngjes në studion e “Ditë e Re” me moderatorët Arjola Shehu dhe Arjon Muça.
Qasja e tij ndaj fjalës është si ndaj një gjëje të shenjtë.
“Si në ekran apo në gazetë fjala nuk mund të shpërdorohet ka edhe ajo kodet e veta si veshja, që të kuptohet. Nga kjo pikëpamje jam gjendur përballë një sfide për ta miksuar veten me dimensionin e ri të profesionit, nga ana tjetër është sfida e heqjes e kostumit të politikanit për të ftuarin, pasi në fillim nuk e kuptonin që ishin ftuar në studio nga një gazetar jo më si koleg i tyre i politikës dhe shpesh herë më dukej sikur rrinin si në mbledhje”
Nuk do të jenë vetëm temat politike por dhe sociale, kulturore, ekonomike.
“Prioritare është të sjell emra personalitetesh që përgjithësisht nuk e kanë luksin si përfaqësuesit politikë por që thonë më shumë se ata ” tregon Rama.
Çdo të hënë dhe të enjte ora 21:00 ju ftojmë të sinkronizoheni në ekranin e RTV Ora me emisionin “Drejt” aty ku gjërat thuhen realisht drejt nga njerëz që nuk e kanë problem të flasin drejt edhe për gjëra që transmetohen shtrembër.