VIDEO/ Barcelona në krahët e De Jong dhe Lewandowskit. Katalanasit triumfojnë në ndeshjen e “jetës”

Një ndeshje që i pati të gjitha dhe nje fund të lumtur për të gjithë, madje edhe për Cadiz që u mund 4-0 në shtëpi. Barcelona fiton sfidën e fushës ndërsa të dyja skuadrat atë të jetës pasi tifozi që u ndie keq 5 minuta nga fundi dhe detyroi mjekët të ndërhynin për të shpëtuar, tashmë është jashtë rrezikut për jetën.

De Jong dhe Lewandowski, Ansu Fati e dembele në pjesën e dytë qetësojnë Xavin që rrëmben një tjetër fitore në kampionat, këtë herë në transfertën e Cadiz. Deri në minutën e 55 Barcelona po haste shumë vështirësi për të çarë murin e vendasve modestë por më pas valsi katalanas u shtri në të gjithë perimetrin e fushës për një sukses që konfirmon në moment super Barcelonën.

Robert Lewandowski gjithashtu merr notën pozitive të radhës pasi hyri në fushë pjesën e dytë por i mjaftuan vetëm pak minuta për të vendosur në kasafortë fitoren e Barcelonës që merr përkohësisht kryesimin në kampionat në pritje të ndeshjes së Realit të Madridit të dielën.

“El Clasico” në distancë, La Liga duket që po rikthehet në formatin e vjetër me mbretërorët dhe katalanasit që mund të duelojnë deri në fund të sezonit për titullin kampion. Ky është goli i gjashtë i numrit 9 në 5 ndeshje të luajtura me fanellën “blaugrana”.

Pushimi i shkaktuar nga ngjarja e pazakontë zgjati rreth 40 minuta ndërsa portieri Jeremias Ledesma mund të konsiderohet heroi i  mbrëmjes pasi ishte ai që kuptoi rëndësinë e situatës duke i ardhur në ndihmë me një defribilator tifozit që pas 30 minutave ndihmë të parë u transportua me ambulancë në spital.