Interi në shitje për vlerën e Milanit, nisin procedurat

Hiqen edhe hijet e fundit të dyshimeve, familja Zhang që zotëron kompaninë Suning në Kinë, ka nxjerrë në shitje të gjitha aksionet e klubit zikaltër duke deleguar kompaninë "Goldman Sacks" që të nisë punën për të evidentuar blerës të mundshëm. Shuma që Steven Zhang kërkon është e panegociueshme, 1.2 miliardë euro. 

Pavarësisht kësaj shume, një pjesë e madhe, saktësisht 400 milionë do të shkojë për të larë borxhin që klubi ka ndaj palëve të treta dhe pjesa tjetër në llogarinë e familjes Zhang, çka do të thotë se duke llogaritur edhe investimet e bëra, pronarët aktualë dalin me humbje.

Në vitin 2021 Suning kërkoi një hua prej 275 milionësh nga Oaktree me interes 12% dhe për t'u paguar deri në vitin 2024. 

Në rast se Inter nuk do ta paguajë këtë shumë, atëherë Oaktree do të bëhej automatikisht pronar i pjesës më të madhe të aksioneve, një hipotezë qe nuk i intereson fondit amerikan siç ndodhi në rastin Elliot me Milanin.