Kosova "mund" Shqipërinë, talenti i mesfushës zgjedh "Dardanët"
Lindon Emërllahu është zbulimi më i madh i Ballkanit kampion Kosove dhe skuadrës që po bën realitet ëndrrën e kosovarëve në fazën e grupeve të Conference League. 19-vjeçari nga Suhareka me siguri do të luajë në të ardhmen në një kampionat më të fortë por kjo është një zgjedhje që pret.
Vendimin e parë të rëndësishëm ai e ka marrë ditët e fundit duke zgjedhur të pranojë ftesën e Alain Giresse dhe jo Edi Rejës. Në një intervistë për "Albanian News" ai e pranon që ishte një vendim shumë i vështirë por tashmë dëshiron të shikojë përpara.
"Zemra më tha të vendos për Kosovën por e kisha të vështirë. Jam rritur duke përkrahur Kombëtaren e Shqipërisë dhe nuk ishte e lehtë ta refuzoja. Shpresoj të jap maksimumin për Kosovën sa herë të më jepet mundësia".
Emërllahu i rritur në akademinë e Ballkanit, shpërtheu nën drejtimin e trajnerit tiranas, Ilir Daja që po zhvillon një sezon fantastik me skuadrën portokalli.
