Vllaznia turpërohet në Rrogozhinë, Tirana harron të fitojë
Tirana ngelet sërish në klasë ndërsa Vllaznia bën edhe më keq, humbet me tre gola në një transfertë që në letër konsiderohej e lehtë. Në Rrogozhinë nuk ka asnjë histori në duelin mes Egnatias dhe shkodraneve të Mirel Josës që u shkatërruan si një kështjellë rëre me rezultatin 3-0.
Delarge gjen golin e dytë sezonal në po kaq javë duke zhbllokuar ndeshjen ndërsa të dytin e shënoi Emiljano Musta që la mbrojtjen për të vulosur fitoren e Egnatias ku Camaj shënoi një tjetër gol në pjesën e dytë.

I riu shqiptar nga Mali i Zi gjen rrjetën e dytë sezonale pas asaj të shënuar në ndeshjen debutuese të sezonit kundër Partizanit. Në krahun tjetër, Vllaznia zhgënjeu tërësisht në një ndeshje ku gaboi gjithçka dhe rikthehet në pikën zero pas dy fitoreve rresht me Kukësin dhe Tiranën. Ky është suksesi i dytë për rrogozhinasit e Edlir Tetovës që nisin të korrin frytet e merkatos së bollshme dhe cilësore të verës.
Ndërkohë në Kamëz, Kastrioti dhe Tirana ndahen në barazim, rezultati më i drejtë për të dyja skuadrat që nuk sakrifikuan për të tentuar 3-pikëshin. Ndeshje e përgjumur pa shumë raste për shënim dhe me dy skuadra të orientuara për t’u mbrijtur mirë dhe për të tentuar më pas goditjen që mund të vendoste ndeshjen.

Pa Seferin në sulm Tirana humbet shumë peshë në repartin e avancuar ndërsa mesfusha vazhdon të vuajë forcën e sezonit të kaluar. Vetëm një fraksion i pjesës së dytë nuk mjaftoi që ndeshja të ndryshonte drejtim dhe Tirana bashkë me Kastriotin ngjiten në kuotën e 5 pikëve. Shans i artë për Partizanin që në sfidën ndaj Erzenit ka mundësinë për të shkuar në kuotën e 12 pikëve.









