VIDEO/ Inter bën me “zemër” tifozët zikaltër, Brozovic shpëton Inzaghin nga turpi

Disfata në derbi dhe ajo në Champions League pasohen nga një fitore për njerëz me zemër të fortë. Në të 89-ën, Marcelo Brozovic u dha fund vuajtjeve të tifozëve dhe skuadrës zikaltër me rrjetën e 24 personale me fanellën e Interit.

Pasim perfekt i Nicolo Barrellas për kroatin që përfitoi nga një devijim i lehtë duke mposhtur edhe Milinkovic Savic, një nga më të mirët e Torinos në fushën e lojës deri në atë moment.

Interi triumfon 1-0 ndaj skuadrës granata që edhe nëse do të kishte dalë me një fitore nga kjo sfidë, nuk do të kishte vjedhur asgjë por Handanovic ishte në ditën e tij më të mirë ashtu si edhe Milinkovic Savic në krahun tjetër.

Ndeshje me shumë ritëm në “San Siro” ku miqtë luajtën hapur duke vendosur në vështirësi serioze skuadrën e Inzaghit që duhet të gëzojë për pikët por jo për lojën e Interit.

Ndërkohë, pak orë më parë në Napoli, Raspadori konsolidoi pozitat e skuadrës së Luciano Spalletit që po në minutën e fundit kaloi Spezian.