Martial nuk kursehet: Mourinho njeri i vogël, më kritikoi ashtu siç bëri me Benzema

Anthony Martial sulmon hapur Jose Mourinhon. Trajneri i Romës ka përfunduar në shenjestrën e sulmuesit 27-vjeçar që u rikthye në Manchester pas një huazimi të dështuar te Sevilla. Në një intervistë për “France Football”, ai rrëfen marrëdhënien e komplikuar me trajnerin portugez në kohën kur drejtonte “Djajtë e Kuq”.

Gjithçka nisi me historinë e numrit të fanellës. Më pyeti nëse do të doja të vishja numrin 11 të mbajtur nga një emër me peshë si Giggs por iu përgjigja se dëshiroja të mbaja numrin 9. Kur u ktheva nga pushimet ai kishte vendosur që të mbaja numrin 11 dhe historia mes nesh nuk vijoi mirë pasi nuk kishte më respekt për mua.

Fliste për mua me fraza të shkurtra ashtu siç kishte bërë me Benzema te Real Madrid. I pëlqejnë këto lojëra por edhe zgjedh me kë t’i bëjë. E dinte se isha 20 vjeç në atë kohë dhe po t’i kundërpërgjigjesha do të më cilësonin si një djalosh të pasjellshëm. Sezonin e ardhshëm isha një nga më të mirët në skuadër por ai mori Sanchez dhe që prej asaj kohe nuk luajta më”.