Tuchel nuk ia fali presidentit dështimin në blerjen e mbrojtësit holandez
Ka një arsye dhe shumë të fortë madje në krisjen e marrëdhënieve mes ish-trajnerit të Chelseat, Thomas Tuchel dhe presidentit, Todd Boehly. E gjithë çështja vërtitet rreth objektivave të merkatos dhe një emri në veçanti. Gjermani ishte i fiksuar me Mathijs De Ligt, mbrojtësin që Bayern Munchen e bleu për 80 milionë.
Tentativat e Boehly nuk munguan por shtatlarti i Juves vendosi të transferohej në Gjermani dhe Tuchel nuk e priti aspak mirë dhe shoqëruar ky dështim me atë të Kounde e Raphinhas, ftohja u bë e pakthyeshme. Palët u larguan edhe më shumë deri në pikën që Boehly vendosi për shkarkimin e trajnerit.
Mosmarrëveshjet mes trajnerit dhe presidentit lidheshin edhe me shumë çështje të tjera të rëndësishme por tashmë gjithçka duket e kaluar pasi Graham Potter ka marrë drejtimin e skuadrës dhe do të ulet në stol që këtë fundjavë kundër Fulham.

