Policia me “qira” nga privatët, ja sa duhet ta paguani për mbrojtje ose për të përdorur mjete policie
Qeveria shqiptare ka miratuar në 7 shtator llojeve të shërbimeve shtesë që ofron policia e shtetit dhe tarifave të pagesës për personat juridikë e fizikë, publikë ose privatë.
Kështu, kush do që të marrë efektivë të policisë së shtetit, ose mjete dhe veshje nga ajo, duhet të paguajë sipas tarifave të miratuara paraprakisht.
Konkretisht, paga për punonjësit e policisë dhe mjetet e marra nga policia do të ketë tarifa të përcaktuara, që fillojnë qysh nga përdorimi me orë, 815 lekë për orë për punonjës policie, deri tek 5000 lekë për orë për mjetet e policisë.
Mbrojtja dhe prania e policisë e për shërbime shtesë, në aktivitete sportive apo kulturore, do të kushte në një shifër prej 1630 lekësh për orë.
Ndërkohë, mbrojtja e personave juridikë, që kanë përfituar statusin e investitorit strategjik, do të mbrohen nga policia me shërbime shtesë kundrejt 1200 lekë për orë.
Nga ana tjetër përdorimi i mjeteve të policisë si uniformat, logot apo fishekëve manovër do të ketë një tarifë prej 1000 lekë në ditë.
Polica dhe mjetet e saj mund të përdoren për mbështetje në zhvillimin e aktiviteteve kulturore, kombëtare dhe ndërkombëtare, si: panaire, ekspozita, teatro, koncerte, shfaqje, festivale të ndryshme, në mjedise të hapura dhe të mbyllura publike, si dhe gjatë zhvillimit të aktiviteteve sportive kombëtare dhe ndërkombëtare, në rastet kur organizatorët e këtyre aktiviteteve nuk janë pajisur me vërtetim sigurie nga Policia e Shtetit.
Po ashtu për sigurimin fizik privat, për të ruajtur sigurinë brenda perimetrit të zhvillimit të aktivitetit; vënien në përdorim të uniformës së Policisë së Shtetit, armëve me fishekë manovre, pajisjeve të tjera, mjeteve të loguara policore dhe ambienteve, në fushën e kinematografisë, gjatë zhvillimit të xhirimeve filmike; shoqërimin e automjeteve që transportojnë mallra të rrezikshme, në rastin e kushteve shtesë të sigurisë.
Vendimi parashikon edhe ruajtjen dhe sigurimin e përkohshëm për një periudhë deri në 3 (tre) muaj ndaj personave juridikë publikë me rëndësi strategjike, aktiviteti i të cilëve vlerësohet në rrezik, si dhe ndaj personave juridikë privatë që kanë përfituar statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”.
Të ardhurat, që realizohen nga kryerja e shërbimeve shtesë të përcaktuara në këtë vendim, përdoren në masën 90% nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe trajtohen si të ardhura jashtë limitit me qëllim përdorimin e tyre për të përballuar mbulimin e shpenzimeve të kryera për ofrimin e shërbimit, sipas këtij vendimi, dhe 10% derdhen në buxhetin e shtetit.



