Spiropali: Borxhi po ulet falë nesh, moment i vështirë, por qeveria nuk i braktis qytetarët, s’ka krizë në faturat e tyre

Nga Kuvendi, ministrja socialiste Elisa Spiropali i ka kthyer përgjigje, kreut të PD-së, Sali Berisha lidhur me akuzat e tij drejt qeverisë.

Ajo tha se Berisha e ka humbur luftën me shqiptarët, duke thënë se vendin e pret një vit i vështirë, por qeveria nuk ka për t’i braktisur kurrë qytetarët.

Ajo theksoi se borxhi ka rënë dhe se të ardhurat në buxhet janë shtuar, falë politikave të qeverisë që po përgatitet një plan për përballimin e krizës.

Spiropali: Ti e ke humbur luftën me shqiptarët. Edhe ato gjëra që ke bërë mirë po i varros me duart e tua. Dashurinë për pushtetin e ke më të madhe se gjithçka. Ne jemi të vetëdijshëm se është një moment i vështirë dhe na pret një vit i vështirë. Ne nuk e kemi braktisur kurrë njerëzit në fatin e tyre, por kemi jetuar me çështjet e tyre dhe jemi menduar që të gjejmë zgjidhe. Borxhi po ulet dhe të ardhurat po rriten, sepse ne kemi zgjedhur rrugën e duhur.

Të ardhurat e shtuara në buxhet nuk i kemi përdoru për të ndërtuar fabrika lart e poshtë, po për biznese familjare lart e poshtë, por për ata në nevojë. Ky është një plan afatmesëm për të përballuar një krizë që është e vazhdueshme. Kur nisin tanket në Kiev e dinim se do të kishte edhe pasoja në Tiranë. Në faturat e shqiptarëve nuk është pasqyruar kriza, sepse është mbuluar nga buxheti i shtetit.