I bëri atentat në derë të shtëpisë Edison Begajt, 5 vite burg për noterin Prifti
Noteri Mitri Prifti është dënuar me 5 vjet heqje lirie nga gjykata e Vlorës për ngjarjen e ndodhur në maj të vitit 2021 ku plagosi me armë Edison Begajn pranë banesës së tij në Kaninë të Vlorës. Autori dhe i plagosuri ishin lidhje krushqie dhe dyshohet se shkak i ngjarjes kanë qenë mosmarrëveshjet.
Një noter në Durrës, Mitri Prifti, i cili u identifikua nga policia dhe më pas u arrestua në Itali, si autor i plagosjes me armë ndaj Edison Begaj, është dënuar nga gjykata e Vlorës me 5 vjet heqje lirie.
Dënimi është dhënë vetëm për akuzën e “Mbajtjes pa leje të armëve”, ku për shkak të gjykimit të shkurtuar noteri i përfshirë në këtë ngjarje kriminale, ka përfituar ulje dhe konvertimin e burgut me shërbim prove.
Ora News mëson se çështja penale kundër noterit Prifti, fillimisht u referua nga policia në prokurori, për akuzën e “Vrasjes me paramendim” mbetur në tentativë dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve”, pasi autori qëlloi plot 4 herë në drejtim të Begaj.
Por gjatë hetimeve akuzat ndaj tij ndryshuan nga “Vrasja me paramendim” mbetur në tentativë në “Plagosje e lehtë me dashje”.
Edhe kjo akuzë u rrëzua, pasi vetë i dëmtuari Edison Begaj hoqi dorë duke e falur Mitrin për sulmin me armë.
Nisur nga kjo situatë, gjykata e Vlorës e gjeti fajtor dhe dënoi me 5 vjet burg duke ja konvertuar në periudhë kushti noterit të Durrësit.
Mitri Prifti, me profesion jurist dhe që ushtronte funksionin e noterit në Durrës, në muajin maj 2021 rezultoi se ishte veshur me uniformë policie dhe ka qëlluar me automatik, në derën e shtëpisë së Edison Begaj në fshatin Kaninë.
Begaj është një personazh i botës së krimit në Vlorë, i cili në momentin e goditjes me armë, ka qënë në shoqërinë e dy fëmijëve të tij të mitur në makinë.
Autori i krimit Mitri Prifti dhe i plagosuri Edison Begaj, rezultojnë të jenë lidhje krushqie mes tyre.
Dyshohet se dhe shkaku i konfliktit ka qënë pikërisht mosmarëveshjet familjare mes tyre.
Pas ngjarjes Prifti u largua me shpejtësi nga Shqipëria, por në muajin shtator 2021, policia e lokalizoi dhe arrestoi në Itali, duke e ekstraduar më pas.
Ndërkohë vetëm pak ditë pas atentatit, në muajin qershor 2021 Edison Begaj është arrestuar nga policia e Vlorës me një pistoletë në brez.
Por vetëm dy ditë më vonë, prokuroria e qytetit urdhëroi lirimin e tij nga burgu, duke caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, për shkak të kujdestarisë së dy fëmijëve të mitur.
Për mbajtjes pa leje të armës, Edison Begaj, u deklarua fajtor dhe u dënua nga gjykata e Vlorës me 6 vite burgim, periudhë kjo që gjykata ja konvertoi me shërbim prove.
