Shpërfillje e policisë në Borsh, skafi disa metra del në breg në mes të pushuesve
Duket se pavarësisht aksioneve më shumë mediatike të policisë së shtetit për ndalimin e skafeve dhe mjeteve ujore, në terren situata shfaqet ndryshe.
Gazetari Osman Stafa ka shpërndarë disa foto nga Borshi ku një mjet, i ngjashëm me atë që vrau 7-vjeçaren në Potam, duke të dalë në bregdet pa problem.
Edhe pse në bregdet ka plazhistë dhe fëmijë, skafi prej disa metrash dhe me motorë të fuqishëm nuk duket se e ka problem që dalë në rërë.
Ndërkohë që nuk shihet asnjë stacion të posaçëm për ankorim apo bova në ujë që tregonin pjesën ku duhet të qarkullojë një mjet e tillë.
“Maliqi më i fortë se ligji. Sot në Borsh, ka dalë në breg ky gjigand, me dy motorë, i njëllojtë si ai që i mori jetën Jonadës 7 vjeçare. Shihni fotot, janë shkrepur sapo mjeti gjigand, ka dalë në breg, teksa në det kishte fëmijë të shumtë. Në vendin ku ka dalë gomonia, nuk ka asnjë stacion të posaçëm, as bova, asgjë. Në shkelje të plotë të ligjit, dhe duke rrezikuar jetët e pushuesve, mes tyre fëmijë. Ku janë organet kompetente për të zbatuar ligjin? A duhet të kemi një viktimë tjetër, që të bëjmë sikur marrim masa?
Kjo është e trishtë. Të shkosh në plazh me fëmijët dhe hallin më të madh ta kesh se mos vjen ndonjë përbindësh si ky që shihni në foto, dhe t'i marrë jetën. Dhe aq më tepër kur ngjarja e Potamit është ende e freskët. Ku është ligji? Ku janë ata që zotohen për respektim ligji? Nuk ka respektim rregullash jo, sepse Maliqi, është më i fortë se ligji. Na ka mbetur të themi vetëm "Zot na ruaj".” – shkruan gazetari.


