PD nuk gjen qetësi as në Kuvend

Parlamenti është shndërruar në sallën ku demokratët nuk hezitojnë të thumbohen mes tyre, edhe pse deklarojnë se përballjen e kanë me maxhorancën. Madje këtë situatë është duke e përdorur edhe vetë PS që për të kuruar imazhin e dëmtuar nuk nguron të shigjetojë të djathtët duke i kujtuar edhe konfliktin brenda tyre. Të ndarë blutë qëndrojnë dhe për protestën e Metës ku mbështetësit e Bashës deklarojnë se nuk do të shkojnë

Sesioni i ri politik nuk ka arritur ta sjellë qetësinë në Partinë Demokratike, me Alibeaj që nuk heq dorë nga vula dhe as Berisha nuk heq dorë nga bashkimi i partisë.

Në Kuvend vijojnë të qëndrojnë të ndarë në dy grupe ku disa anojnë herë pas herë në të dyja anët.

Edhe pse janë të zgjedhur lista e PD, demokratët përveç dëshirës për të ndjekur udhëheqësit e tyre janë të ndarë edhe në qëndrime, fenomen që ata vetë e pohojnë.

Mbështesit e Sali Berishës thonë se do t’i bashkohen protestës së Ilir Metës me 13 shtator tek incineratori i Tiranës.

Ina Zupa: Do të jem në protestë.

Flamur Noka: Çdo shqiptar duhet të ngrihet në protestë.

Grida Duma: Në çdo protestë duhet marrë pjesë.

Edi Paloka: Jo vetëm protestt e organizuara qytetare do të jemi pjesë e saj.

Por Lulzim Basha nuk ka asnjë mendim të tij për këtë protestë, ndërsa i besuari i tij Gazmend Bardhi është më i qartë në përgjigjen e tij negative, argumenti është vendi ku do të zhvillohet tubimi.
Gazmend Bardhi: Incineratorët janë produkti i krimit, nëse ka një skenë krimi është kryeministria.

Enkelejd Alibeaj: Ajo që unë bëj është të jem deputet i shqiptarëve dhe ti bëj denoncimet këtu.

Problemet me njëri-tjetrin vihet në pah edhe në seanca plenare, ku thumbat ndaj PD së Berishës dhe grupimit të Alibeajt nuk mungojnë.

Lindita Nikolla: Nga grupi parlamentar ju ka përjashtuar grupi dhe jo kryetarja e kuvendit.

Flamur Noka: Nuk më ka zgjedhur Ali Basha, cili nen i kushtetutës i jep të drejtë shërbëtorit të Ramës të më caktojë mua jam deputet jashtë grupeve apo brenda grupeve.

Përcarja e PD është “plaga” politike në të cilën PS vë gishtin sa herë kërkon të sulmojë opozitën për të mbuluar çështjet që ia dëmtojnë imazhin.

Taulant Balla: Nga gjithë ai përbetim gjatë gjithë verës se opozita do të bëjë namin mesa duket vetëm dasma është lajm i madh i kësaj vjeshte.

Deri sa vula të qëndrojë në Gjykatën e Apelit, deputetët demokratë nuk do të arrijnë që të kenë në objektivin e tyre vetëm problemet në qeverisjen e Edi Ramës.