Nuk pinte ilaçet e kokës, 55-vjeçari tenton të therë gruan në Elbasan. Plagos dhe fqinjin
Një 55-vjeçar i përcaktuar me probleme të shëndetit mendor tentoi të vrasë bashkëshorten, të cilën e e la të plagosur bashkë me fqinjin që ndërhyri për ta shpëtuar nga sulmi me thikë. Ngjarja e rëndë u shënua në Elbasan.
Një 55-vjeçar tentoi të therë gruan në Elbasan. Autori, Elmas Kalija, siç konfirmon e ëma, është një person me probleme të shëndetit mendor.
Ngjarja u shënua në banesën e familjes Kalija në lagjen “Dyli Haxhire” në periferi të Elbasanit.
Elmas Kalija tentoi të vrasë bashkëshorten Shkëlqimen, 50 vjeçare, e cila mbeti e plagosur si pasojë e goditjes me thikë pas debateve, sipas burimeve për dyshime tradhëtie.
Fqinji 64-vjeçar Enver Sula, që ndërhyri për të shpëtuar 50-vjeçaren nga sulmi mbeti po ashtu i plagosur.
Dy të plagosurit janë dërguar në spitalin e Elbasanit për ndihmë mjekësore, nga ku burime thonë se ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Elmas Kalija u vu në pranga nga policia, ndërsa nëna e tij zbuloi se i biri 55-vjeçar me probleme të shëndetit prej dy muajsh nuk merrte ilaçet.
"Ka një muaj apo dy muaj që nuk i pi. Jam mirë thoshte."
Vitet e fundit në vend janë shënuar disa krime të rënda me autorë persona me probleme të shëndetit mendor që nuk ishin trajtuar siç duhet për sëmundjet.

