Rama prezanton "Jonadën"/ Njësi speciale policore për sigurinë në plazhe, ministri e drejtori do largohen nga punët e detit

Ndërsa çështjen e pastërtisë e konsideron një çështje të mbyllur dhe të finalizuar me sukses për këtë sezon, kryeministri Edi Rama tha se për verën e ardhshme sfida kryesore mbetet garantimi i sigurisë në det për pushuesit, një nga problematikat kryesore të këtij sezoni.

Dhe për këtë arsye, tha ai, do të krijohet një njësi speciale policore që do të quhet Jonada, me emrin e vogëlushes 7-vjeçare që u përplas për vdekje me skaf në Himarë, dhe e cila do të monitorojë plazhet nga ajri dhe uji.

Nga ana tjetër Rama foli për një reformë të plotë strukturore të gjithë ngrehinës institucionale që lidhet me detin dhe që sipas tij  është një lëmsh absolut.

Kryeministri tha se do të hiqen një pjesë të madhe të ministrive dhe institucioneve nga punët e detit dhe do të forcohet roli i rojes bregdetare.

Edi Rama:  Ne u angazhuam si asnjëherë më parë që nga shtatori i shkuar që ky të ishte sezoni turistik më i miri, më i pastërti, më i organizuara dhe më i sigurti dhe nga Velipoja në Sarandë falë një angazhimi maksimal të Ministres së Turizmit  dhe Ministrisë së bashkë me bashkitë bregdetare dhe kryebashkiakët kemi një bregdet  dhe rrugë turistike me pastërti si asnjëherë më parë. Për herë të parë Shqipëria nuk ka dalë në asnjë media ndërkombëtare si vend i pisët, i ndotur nga njerëzit me plehra këtu dhe atje.

Të gjithë e kanë vënë re. Një rrjet i tërë vrojtuesish në plazhe u mirëorganizua, ka akoma shumë punë për ata. Plazhe publike të garantuara si asnjë sezon më parë. Por zhvillimi i shpejtë i trafikut ujor bashkë me rritjen e zhvillimit të turizmit na ka vënë si asnjë vit me parë në vështirësi serioze këtë vit, me një numër shumë të shtuar mjetesh ujore në një vend që nuk kemi as traditën, as trashëgiminë e kulturës së detit, as sensin e masës në përdorimin e mjeteve të ujit që vitet e fundit janë shtuar shumë shumë duke u bërë gjithnjë e më problematike.

Pavarësisht se u vendosën rregulla, përdoruesit e mjeteve të ujit janë shfaquar thuajse të gjithë si shkelës rregullash. Trupat policore të kufirit që mbulojnë këtë pjesë të aktivitetit turistik nuk kanë qenë në lartësinë e duhur sidomos në bregdetin Jon ku është dhe shfaqja më akute për shkak të thellësisë shumë afër bregut dhe afrimit në breg të gjithë motoristëve të ujit, gjë që solli dhe tragjedinë. Shkarkimi i zixhirit komandues  të policisë kufitare me në krye drejtorin e asaj trupe ishte vendimi i duhur por nuk mjafton.

Prandaj ka nisur puna për një reformë të plotë strukturore të gjithë ngrehinës institucionale që lidhet me detin, është një lëmsh absolut. Ishte i padukshëm deri dje, deti deri dje ka qenë i vdekur dhe komerdaret ishin vënë në moratorium, por çdo vit e më shumë duke u rritur ky aktivitet në det dhe kur deti po hyn çdo ditë e më shumë në ekonominë e turizmit dhe jo vetëm ky është një lëmsh që është kthyer në pengesë reale.

 Janë 6 Ministri dhe 7 institucione që kanë kompetencën e tyre në det dhe mbivendosen, përplasen me njëra-tjetrën. Kjo situatë duhet të marrë fund që në sezonin e ardhshëm duke u bazuar në modelet më të mira duke fuqizuar rojen bregdetare. Duke hequr një pjesë të madhe të këtyre ministrive dhe institucioneve nga punët e detit.

Po ashtu i kam kërkuar ministrit të krijojmë njësi speciale policore që do ta quajmë Jonada dhe vitin e ardhshëm të jetë aktive në monitorimin e plazheve nga uji dhe nga ajri me mjete ujore të motorizuara dhe me dron për të garantuar siguri të plotë në ujë për pushuesit duke imponuar rregullat e lëvizjes së mjeteve ujore. Njëkohësisht pa ju rënë në qafë për inerci të gjithë atyre që vizitojnë Shqipërinë  përmes ujërave territoriale dhe nuk kanë asnjë arsye të shohin polic me sy përsa kohë nuk kërcënojnë asgjë.