NATO, gati të aktivizojë nenin 5, Aleanca dënon sulmin kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë
Sulmi kibernetik ndaj Shqipërisë mund të detyrojë NATO-n të aktivizojë nenin e pestë të Kushtetutës së aleancës për herë të parë. Sipas saj, do të urdhërohej mbrojtja kolektive e të 30 vendeve anëtare nga sulme të tjera të mundshme në të ardhmen.
Selia qendrore në Bruksel e Aleancës së NATO-s ka reaguar në emër të 29 vendeve anëtare për sulmin kibernetik të Shqipërisë nga qeveria iraniane, gjë që çoi në dëbimin e stafit të ambasadës në Tiranë nga qeveria e Edi Ramës.
Aleanca ushtarake e cila drejtohet nga, Jens Stoltenberg, ndërsa e dënon sulmin e Teheranit ndaj sistemeve tona të teknologjisë së informacionit nuk e përjashton përgjigjen kolektive në emër të 30 vendeve anëtare në të ardhmen duke nënkuptuar aktivizimin e nenit të 5.
"Ne i dënojmë fuqimisht aktivitete të tilla keqdashëse të krijuara për të destabilizuar dhe dëmtuar sigurinë e një aleance duke prishur jetën e përditshme të qytetarëve. Ne do të vazhdojmë të rrisim mbrojtjen tonë kundër aktiviteteve të tilla keqdashëse kibernetike në të ardhmen dhe të mbështesim njëri-tjetrin për të penguar kërcënime të tilla duke përfshirë marrjen në konsideratë të përgjigjeve të mundshme kolektive".
Në 7 shtator kryeministri Edi Rama urdhëroi dëbimin e stafit të ambasadës iraniane nga Tirana duke bërë përgjegjës për sulmin masiv kibernetik të 15 korrikut qeverinë e Republikës Islamike të Iranit.
Sipas kreut të qeverisë dhe deklaratave nga Shtëpia e Bardhë, sulmet u zbuluan si rezultat i punës së agjencive shqiptare të anti-terrorit me ato të huaja, ku SHBA-të luajtën rol kryesor.
Të enjten Shtëpia e Bardhë e komentoi sërish sulmin kibernetik të shtetit iranian ndaj Shqipërisë.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean Pierre, tha se administrata Biden po punon me Tiranën për të përforcuar sigurinë kibernetike.
Njësoj si NATO në Bruksel edhe zëdhënësja e shtypit të Shtëpisë së Bardhë komentoi mundësinë e zbatimit të nenit të pestë të Aleancës.
Deklarata e plotë e NATO-s
Ne qëndrojmë në solidaritet me Shqipërinë pas sulmit të fundit kibernetik në infrastrukturën e saj kombëtare të informacionit. Aleatët pranojnë deklaratat e Shqipërisë dhe aleatëve të tjerë që ia atribuojnë përgjegjësinë për sulmin kibernetik Qeverisë së Iranit.
Ne dënojmë fuqishëm aktivitete të tilla keqdashëse kibernetike të krijuara për të destabilizuar dhe dëmtuar sigurinë e një aleati dhe për të prishur jetën e përditshme të qytetarëve. NATO dhe aleatët mbështesin Shqipërinë në forcimin e aftësive të saj të mbrojtjes kibernetike për të përballuar dhe zmbrapsur aktivitete të tilla keqdashëse kibernetike në të ardhmen.
Aktorët keqdashës kërkojnë të degradojnë infrastrukturën tonë kritike, të ndërhyjnë në shërbimet tona qeveritare, të nxjerrin informacione, të vjedhin pronën intelektuale dhe të pengojnë aktivitetet tona ushtarake.
Aleatët janë të përkushtuar të mbrojnë infrastrukturën e tyre kritike, të krijojnë elasticitet dhe të forcojnë mbrojtjen e tyre kibernetike. Ne do të vazhdojmë të rrisim mbrojtjen tonë kundër aktiviteteve të tilla keqdashëse kibernetike në të ardhmen dhe të mbështesim njëri-tjetrin për të penguar, mbrojtur dhe kundërshtuar spektrin e plotë të kërcënimeve kibernetike, duke përfshirë marrjen në konsideratë të përgjigjeve të mundshme kolektive.
Ne promovojmë një hapësirë kibernetike të lirë, të hapur, paqësore dhe të sigurt. Ne ndjekim përpjekjet për të rritur stabilitetin dhe për të zvogëluar rreziqet e konfliktit duke promovuar respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe normave vullnetare të sjelljes së përgjegjshme të shtetit në hapësirën kibernetike, siç njihen nga të gjithë anëtarët e Kombeve të Bashkuara.
Ne u bëjmë thirrje të gjitha shteteve të respektojnë angazhimet e tyre ndërkombëtare për të mbështetur një qasje të bazuar në norma ndaj hapësirës kibernetike.

