Gjirokastër, kapet organizatori i disa rasteve të kalimit të paligjshëm të emigrantëve

Një person që dyshohet të ketë qenë organizatori i disa rasteve të kalimit të paligjshëm të emigrantëve është arrestuar në Gjirokastër.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 automjet, 5 aparate celulare, 870 euro dhe 10 000 lekë.

"Ndalimi i shtetasit të mësipërm u bë pasi nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se ky shtetas ka qenë organizatori i disa rasteve të dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet MENA, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt përfitimeve monetare, që varionin nga 350 euro deri në 1500 euro për person.

Nga hetimet e kryera është dokumentuar se shtetasi N. M. është organizator i rasteve të dhënies ndihmë emigrantëve të paligjshëm për kalim të paligjshëm të kufirit, që janë goditur gjatë operacioneve policore "Road Guard 32", "Road Guard 33", "Road Guard 35" dhe "Road Guard 36", si rezultat i të cilëve janë arrestuar shtetasit B. T.; K. H.; Ç. H; E. T.; S. V., si dhe shtetasit pakistanez M. A.; A. M. dhe J. A," njoftoi policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale "Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit", kryer në bashkëpunim.