Rama hap spitalin e Laçit, thotë: Nuk kemi boshllëk, pavarësisht se ka mjekë dhe infermierë që largohen
Është hapur sot spitali i ri i Laçit. Në inaugurimin e këtij spitali ishin të pranishëm dhe kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.
Gjatë fjalës së tij Rama u shpreh se nuk ka mungesë në mjekë, por sipas tij ka nga ata që largohen dhe kjo është e drejta e tyre.
Madje Rama për mungesën e personelit në një periudhë të caktuar kohore ua hodhi paraardhësve të tij në qeveri.
Edi Rama: Shpeshherë dëgjojmë nuk kemi mjekë nuk kemi infermier por në fakt ne nuk e kemi një boshllëk të tillë pavarësisht se ka mjek dhe infermierë që largohen. Është e drejta e tyre. Sot kemi sistem që na mundëson të mos kemi boshllëqe. Sot kemi një shpërndarje më të plotë se ç’kishim vite më parë ku trashëguam një gropë të madhe për shkak të mbylljes së specializimeve në vitet e mëparshme.
“Ishte një qytet i lënë pas dore për shumë vite nga ata që e kanë marrë votën rëndshëm për shumë vite. Jo se bëmë diçka shumë të madhe por bëmë diçka më shumë. Tërmeti na vuri përballë mundësisë për të rilindur këtë zonë”, u shpreh Rama.
Mjekësia e Përgjithshme ka pasur 100 kuota më tepër këtë vit, në total 360 kuota. Ka ende 20 kuota të lira në këtë fazë. Për sa i përket infermierisë janë ende 260 kuota dhe mbi 100 vende bosh në degën e farmacisë.
