Autori i krimit njihte mirë zonën e viktimën, zbardhen detaje nga vrasja e biznesmenit shqiptar në Itali

Vijojnë hetimet për të zbuluar se kush vrau dhe çfarë ka ndodhur me Fatmir Arën biznesmenin shqiptar i cili u gjet i vdekur të dielën e 4 shtatorit në fushat e komunës së San Carlo Canavese në provincën e Torinos.

Ara ishte baba i katër fëmijëve

Trupi i tij u sinjalizua nga një kalimtar i rastit, pak metra larg automjetit në pronësi të vëllait të tij por në përdorim të Fatmirit.

Automjeti u gjet i djegur pjesërisht, e dukes si një përpjekje e autorit të krimit për të zhdukur gjurmët e tij.

Hetimet

Hetimet e para të rrethanave të ngjarjes janë tregues se kush ka rrëmbyer e ekzekutuar biznesmenin shqiptar e njihte atë mirë, ashtu si dhe zonën ku u gjet trupi, pasi mungojnë telekamerat e sigurisë rrugore që mund të jepnin informacione të rëndësishme për policinë, raporton Ora News.

Autoritetet italiane presin analizat e autopsisë e cila do të realizohet nga mjeku ligjor Roberto Testi, për të zbardhur nëse Fatmir Ara është ekzekutuar në vendin ku u gjet trupi apo diku tjetër dhe më pas është transportuar me automjetin e tij në fushat e San Carlo Canavese.

Fatmir Ara qe zhdukur ditën e premte datë 2 shtator 2022 e bashkëshortja bashkë me vëllain e tij sinjalizuan menjëherë zhdukjen të preokupuar nga moskthimi i tij në banesë.

I rrëmbyer, i torturuar e më pas i ekzekutuar. Hijet e së shkuarës së tij e afera të tjera mbeten pikëpyetjet e këtyre orëve që presin zbardhjen e krimit bashkë me gjetjen e autorit të krimit.

Autoritetet policore italiane po hetojnë të gjitha pistat e ambientet që frekuentonte viktima. 

Precedentë penalë

Fatmir Ara njihej si person me precedent penal për armëmbajtje pa leje e keqtrajtim familjar.

Më vitin 2018 ai ishte dënuar nga drejtësia italiane me gjykim të shkurtuar me 3 vite heqje lirie ku ishte përfshirë dhe një miku i tij karabinier, i cili u dënua me dy vite burg për përpjekje zbulim sekreti të detyrës.


Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.