Dimër me batanije, rikthimi i fashave të energjisë
Vendimi i qeverisë për të rritur çmimin e energjisë elektrike për familjet që shpenzojnë mbi 800 kilovat do të sjellë efekt në uljen e konsumit. Duke e konsideruar edhe aktualisht faturën e lartë, shprehen se do të blejnë më pak produkte dhe se dimrin do ta kalojnë me batanije, pasi të ardhurat i kanë tepër të ulëta.
Prej tetorit në Shqipëri do të rikthehen fashat e energjisë elektrike.
Abonentët që konsumojnë mbi 800 kë/h në muaj do të tarifohen me një çmim tjetër, për të cilin qeveria ende nuk është e vendosur për ta bërë publike.
E vetmja gjë që pranohet është se është bërë një studim për familjet që preken por pa bërë transparencë mbi shifrat.
Qytetarët thonë se edhe aktualisht paguajnë shumë për energjinë edhe pse janë pak anëtarë në familje e si pasojë edhe konsumin e kanë të ulët.
“Rreth 50-60 mijë. Edhe 40 ndonjëherë. Varet 45-50 se vetëm burrë e grua jemi.”
Rikthimi i fashave dhe të ardhurat e ulëta do i detyrojnë të kursejnë. Dimrin thonë se do e kalojnë me batanije e jo me ngrohëse.
“Ç’na duhen dritat ne, me batanije do te jemi.”
“Do të kursejmë sepse llogarisim bukën.”
Për ekspertin Lorenc Gordani vendosja e fashave nuk pritet të sjellë rezultate në kursimin e energjisë.
“Nuk është masë eficiente, por gjithsesi mbetet se duhet të ishin masë masa të tjera, që të vihej në mënyrë paralele, duke pasur mënyra alternative kursimi.”
Nga pasojat e krizës energjetike, që qeveria e paralajmëroi gati një vit më parë synohen të mbrohen abonentët familjarë dhe biznesi i vogël.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.



