Automjetet me 50 emigrantë, arrestohen tre të rinjtë në Tiranë
Tre persona janë arrestuar në Tiranë pasi u kapën në flagrancë me 50 emigrantë të paligjshëm që po i ndihmonin të kalonin kufirin.
Me finalizimin e operacionit të koduar "Tranzit 50" u arrestuan D. Ll., 24 vjeç, M. B., 30 vjeç, dhe M. Gj., 25 vjeç, për veprën penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve".
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi D. Sh., 29 vjeç.
"Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në fshatin Mëzez, në rrugën “7 Nëntori”, kanë konstatuar mjetet me drejtues shtetasit M. GJ. dhe M. B., brenda të cilëve ndodheshin 50 shtetas të huaj.
Sipas verifikimeve të kryera ka rezultuar se shtetasit M. Gj., M. B., D. Ll. dhe D. Sh., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kundrejt përfitimeve monetare, do t’i transportonin 50 emigrantët e paligjshëm nga Tirana në drejtim të Kukësit, me qëllim kalimin e tyre në pikat kufitare, me destinacion final vendet e BE-së," thuhet në njoftimin e policisë.
Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht 50 emigrantët e paligjshëm, për veprën penale "Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror".
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjetet dhe 6 aparate celulare. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.