FNSH kontrolle të befasishme rrugëve të Fushë Krujës e Durrësit, kap 28 vjeçarin që lëvizte me pistoletë poshtë sediljes

Kontrolle të shumta policore, të zhvilluar gjatë fundjavës në Durrës dhe Fushë Krujë kanë bërë të mundur arrestimin e 3 personave për kanabis dhe mbajtje pa leje të armëve të zjarrit.

Në zbatim të planit operacional policor të koduar “Fundjava”, forcat operacionale, në bashkëpunim me Sektorin e Qarkullimit Rrugor Durrës, Komisariatin e Policisë Krujë dhe me mbështetjen e FNSH Tiranë kryen kontrolle të befasishme në Fushë Krujë dhe Durrës.

Kështu në Fushë Krujë u arrestua K.L 28 vjeç, banues në Rrëshen, Mirditë pasi gjatë kontrollit të makinës tip “Audi” që drejtonte u gjet një armë zjarri pistoletë me një krehër me 8 fishekë luftarakë në të. "Pistoleta ishte vendosur poshtë sediles së shoferit" informoi sot policica e Durrësit.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Materialet hetimore në ngarkim të shtetasit K. L. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për vepren penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Ndërkohë gjatë kontrollit në Durrës janë arrestuar dy persona të tjerë.


Bëhet fjalë për një 21-vjeçar së bashku me një 23-vjeçar. Ky i fundit po drejtonte “BMW” nën efektin e lëndëve narkotike si dhe në makinë iu gjetën sasi kanabisi në formën e boçes.

“D. L., 21 vjeç dhe O. D., 23 vjeç, të dy banues në Durrës, pasi u kapën në vendin e quajtur “Mbikalimi i Kënetës”, Durrës, duke qarkulluar me një automjet tip “BMË”, në të cilin mbanin një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis në formë boçeje, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale,” ka shtuar policia.

23 vjeçari iu nënshtrua testit të drogës, me pajisjen AquilaScan dhe rezultoi pozitiv për përdorim të lëndëve narkotike gjatë drejtimit të automjetit.

Materialet hetimore në ngarkim të shtetasve D. L. dhe O. D.  i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.