U gjet i vdekur në Torino, biznesmeni shqiptar me precedentë të mëparshëm penalë
Fatmir Ara, sipërmarrësi shqiptar i gjetur i vdekur ditën e shtunë datë 3 shtator 2022 në zonën San Carlo Canavese në provincën e Torinos, ka precedent penal për armëmbajtje pa leje e keqtrajtim familjar.
Më vitin 2018 ai ishte dënuar nga drejtësia italiane me gjykim të shkurtuar me 3 vite heqje lirie ku ishte përfshirë dhe një miku i tij karabinier, i cili u dënua me dy vite burg për përpjekje zbulim sekreti detyre.
Po në të njëjtin vit bashkëshortja e Fatmir Ara e kishte denoncuar për keqtrajtim e dhunë si dhe kishte sinjalizuar tek autoritetet policore italiane rrethin shoqëror në të cilin ishte përfshirë bashkëshorti si dhe fshehjen e armëve në banesë.
Për të zbardhur se në ç'fazë ishte hetimi ndaj tij, Fatmir Ara në atë kohë kishte kërkuar ndihmën e mikut të tij karabinier Raimondo Marrocu 56 vjeç.
Ky i fundit kishte konsultuar arkivin e të dhënave për të marrë informacione mbi mikun e tij shqiptar, aktivitetet i zbuluar nga kolegët e tij e që çoi në denoncimin e hapjen e një procesi hetimore ndaj tyre.
Fatmir Ara u zhduk nga shtëpia e tij më 2 shtator dhe bashkëshortja e tij kishte bërë denoncimin. Sipas informacioneve të para kufoma kishte shenja dhune dhe të paktën tre të shtëna me armë zjarri. Ka dyshime se 43-vjeçari fillimisht është dhunuar dhe më pas është vrarë me armë zjarri. Autopsia do të përcaktojë shkaqet e vdekjes.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.


