Shikoni VIDEON/ PSD hakmerret për grevën e punëtorëve, lyen me miell Ministrin
Aktivistë të Partisë Socialdemokrate e kanë gjuajtur me miell ministrin e Financave, Hekuran Murati.
Ky ishte një aksion simbolik i tyre për punëtorët në grevë.
"Nuk mund të normalizohet lufta e pa precedentë që Hekuran Murati u ka shpallur punëtorëve. Prandaj, aksion, ndërhyrje, rezistencë", ka shkruar Dardan Molliqaj në "Facebook".
Nga e enjtja e 25 gushtit, në grevë janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.
Punëtorët e sektorit publik që janë në grevë, nuk do marrin pagën e plotë nga Qeveria e Kosovës, ka thënë Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
“Për 5 ditë pune i bie rreth 90 euro minus këtë muaj [në pagë]”, tha Murati më 29 gusht, gjatë një konference për media.
Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve, drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.
Pasditen e sotme, 3 shtator, Presidentja e Kosovës po zhvillon një takim me përfaqësues të sindikatave.
Rrahman Jasharaj kryetar i SBASHK-ut ka thënë se vendimi i kryeministrit Kurti është i një anshëm dhe se greva do të vazhdojë.
Ai tha se i vlerëson përpjekjet dhe gatishmërinë e presidentes për të dialoguar pasi ky proces ka munguar deri tani.
