PD: Open Balkan, non sens politik e ekonomik! I shërben pushtetit personal të Ramës dhe Vuçiçit

Partia Demokratike ka reaguar për Samitin e nismës së “Ballkanit të Hapur” që u mbajt në Beograd, ndërsa thotë se ajo i shërben vetëm pushtetit personal të Ramës dhe Vuçiç.Anëtari i Kryesisë së PD-së, Aldo Bumçi, tha se kjo konfirmohet edhe nga një studim i ditëve të fundit i Institutit Rockefeller mbi Ballkanin e Hapur.

Për Partinë Demokratike projekti i Ballkanit të Hapur i shërben vetëm pushtetit personal të Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiçit.

Anëtari i Kryesisë së demokratëve,Aldo Bumçi, shprehet se kjo konfirmohet edhe nga një studim i ditëve të fundit i Institutit Rockefeller mbi Ballkanin e Hapur.

Bumçi: Kjo nismë synon t’i shërbejë pushtetit personal të Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiç. Më shume se kaq është pjesë e axhendës së tyre të përbashkët për ta mbajtur rajonin jashtë Bashkimit Europian, thekson studimi. Po aty nxirret zbuluar faktin se kjo nismë nuk lindi prej frustrimit të 6 vendeve ndaj politikës së zgjerimit të BE, sikundër duan ta shesin Rama dhe Vuçiç. JO! Erdhi prej nevojës së dy autokratëve ballkanas për të krijuar një aleancë të ‘vakuumit europian’, ku standardet e vetme janë vjedhokracia dhe autoritarizmi.

Bumçi vlerësoi po ashtu se studimi në fjalë nxit edhe më tej dyshimet mbi axhendën e fshehtë të kësaj nisme.

Bumçi: kur evidenton se Bosnje Hercegovina e refuzon pjesëmarrjen në Ballkanin e Hapur për shkak se i trembet cënimit të pavarësisë së saj. Ky vend, bashkë me Kosovën e Malin e Zi, e shohin Ballkanin e Hapur si rrezik që minon rrugën e tyre europiane. Studimi rikonfirmon shqetësimet e pësëritura se Ballkani i Hapur priret të thellojë edhe më shumë ndasitë mes vendeve të rajonit, në vend që të rrisë bashkëpunimin gjithëpërfshirës, sikundër pretendojnë Rama dhe Vuçiç.

Ballkani i Hapur, thotë selia blu, dëshmohet edhe njëherë një non sens politik dhe ekonomik nga qendrat prestigjioze ndërkombëtare, por vetëm Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç e konsiderojnë gjënë e duhur: Njëri si vasal, e tjetri si padron.