Shalqini kalbet në parcela, fermerët e Torovicës në Lezhë prodhuan më pak, por mungoi tregu

Qindra tonë shalqin po kalbet në fushat e Torovicës në Lezhës, siç thonë fermerët, për shkak të mungesës së tregut për shitje. Rritja e kostove dhe humbjet, thonë se po i detyrojnë të braktisin tokën.

Këto pamje vijnë nga Torovica e Lezhës. Qindra ton shalqin po kalbet në parcela për mungesë të tregut.

Fermerët kanë nisur të heqin dorë nga kultivimi i kësaj kulture, pasi thonë po dalin vetëm me humbje.

"Vështirë, gati me u hedh në kanal dhe ne. Nuk do ta mbjellim më."

"Me bostan jemi shumë minus."

Fermerët e Torovicës, ashtu si të tjerë në të gjithë vendin, ankohen për mungesën e mbështetjes për bujqësinë.

"Nuk investon kush, shteti nuk jep kompensim. As naftë, as gaz, as benzinë, as ujë. Kemi shitur nëpër rrugë kush ka blerë ndonjë kokërr. Pjesa tjetër në arë, është prishur, kalbur."

Torovica në Lezhë është një zonë bujqësore me të cilën e kanë të lidhur jetesën shumë familje, por vit pas viti numri i atyre që po braktisin tokën po shtohet.

Kostot e shtuara dhe mungesa e garancisë për shitjen e prodhimit janë ndër arsyet kryesore që po i largon nga bujqësia.