“Spiunët” Dy rusët e ukrainasi apelojnë vendimin, kërkojnë lirimin nga burgu: Duan të fillojnë shkollën

Dy rusët Mikhail Zorin, Svetlana Timofeeva dhe 33 vjeçari Ukrainas Fedir Alpatov, kanë kundërshtuar vendimin e gjykatës së Elbasanit, që i mbyllte në burg ata për akuzën e spiunazhit dhe “Goditjes për shkak të detyrës” ndaj dy ushtarakëve të Uzinës së Çekinit në Gramsh.

Të arrestuarit i janë drejtuar me një kërkesë gjykatës së Apelit në Durrës, duke kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë nga Arrest në burg në “detyrim paraqitje”.

Tre të huajt që pretendojnë se janë blogera dhe fotoreporterë të objekteve të braktisura, garantojnë gjykatës se do jenë në dispozicion të hetimit të këtij rasti dhe nuk do i fshihen drejtësisë dhe përballjes me akuzat.

Sipas njërës prej tre kërkesave për ndryshim mase sigurimi ndaj Ukrainasit Fedir Alpatov, ky i fundit nuk ka qenë prezent në momentin kur dy rojet ushtarake të Uzinës Çekin, janë sulmuar me sprajt në sy.

Aq më tepër, thuhet në kërkesë Alpatov nuk është pjesë e asnjë shërbimi të huaj spiunazhi.

“…nuk ka qenë në vendin e ngjarjes kur është hedhur sprajt neoparalizues dhe së dyti nuk ka asnjë lidhje me asnjë agjenci spiunazhi, qëllimi i vërtetë i ardhjes në Shqipëri ka qenë për hobi për të shkuar në vendet ish-komuniste dhe fotografimi i bunkerëve apo reparteve të braktisura, duke i nxjerrë më pas në rrjetet sociale, Instagram. Në Shqipëri ndodhej për pushime ku lekët e sekuestruara prej 6000$ ia kishte dhënë mamaja e tij, Ilona për pushime të cilat janë sekuestruar" - thuhet në kërkesë për ndryshimin e masës së sigurisë.

Më tej Alpatov në kërkesën e tij, kërkon zbutjen e masës së sigurisë, pasi duhet të ndjekin patjetër studimet shkollore.

Prej datës 20 Gusht 2022, dy rusët Mikhail Zorin, 23-vjeç, Svetlana Timofeeva, 33-vjeç dhe ukrainasi Fedir Alpatov mbahen në burg pas një incidenti, në uzinën e prodhimit të Armëve në Gramsh.

Mikhail Zorin, u konfiktua me 2 ushtarët shqiptar që e pikasën në hyrje të Uzinës,duke dëmtuar me sprajt në sy, Albi Bici dhe Ardian Xhakën.

Të tre u vunë në pranga nga policia e Elbasanit dhe akuzohen për “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave” kryer në bashkëpunim.

Ndërsa vetë Uzina e Prodhimit të Armëve në Çekin të Elbasanit, prej vitit 2012 ishte deklasifikuar dhe aktualisht nuk hynte në kategorinë e Objekteve të Rëndësisë së Veçantë që mund të përbënte sekret shtetëror.