“Dhëmbë për dhëmbë” Vasili: Rama ka ndryshuar emrin nga Edvin në Edi, problem i madh ligjor

Në një dalje për mediet, deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili i është përgjigjur “dhëmbë për dhëmbë” akuzave për ndërrim emri të ish-presidenti Ilir Meta.

Ai tha se kryeministri e ka ndryshuar emrin e tij nga Edvin në Edi në vitin 2002 duke theksuar se ky është një problem i madh ligjor e formal.

Vasili: Ne kemi një rast interesat. Dekreti i presidentit për emërimin e ish ministrit të Kulturës, Edi Rama dhe zgjedhjen e tij si kryetar bashkie. Në 2002 Edi Rama ka ndërruar emrin nga Edvin Kristaq Rama në Edi Rama.

I vetmi njeri në nivelet më të larta politike që ka një problem shumë të madh formal e ligjor, sepse është dhe objekti i legjislacionit i përvetësimit të postit shtetëror përmes mashtrimit me gjeneralitetet është rasti tipik me Edi  Ramën. Është e provuar nga e zeza në të bardhë. Ky duhej të ishte një shqetësim i madh. Një njeri me identitet tjetër ka mbajtur poste të rëndësishme.

Ndërkohë nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, thuhej se ish-presidenti Ilir Meta figuronte në dokumentet e krijuara nga ish-sigurimi me emrin Ilir Metaj.

Pyetja që iu bë në konferencë sot ishte: Meta a e ka vetëdeklarua në formularin e vetëdeklarimit që ka një mbiemër tjetër?

Ilir Meta: Të jeni shumë të qartë. Kam qenë dhe do të jem gjithmonë Ilir Rexhep Metaj. Nuk kam asnjë arsye të mos jem krenar për emrin dhe mbiemrin tim. Përkundrazi dhe fëmijët e mi kanë arsye të jenë edhe më krenarë për babanë e tyre. Të jini të qetë. Shikoni skandalet, si është asgjësuar gara, meritokracia,  konkursi. Shikoni  çfarë mafie qeveris këtë vend.  Meta ka qenë në çdo moment në anën e duhur të luftës.