Alban Bruçaj e plagosi me thikë 2 vjet më parë, Iu kundërpërgjigj me armë, në kërkim djali i ish-presidentit të Vllaznisë
Tornato Fusha 20 vjeç dhe Bajram Çekorja 24 vjeç, të dy banues në Shkodër, janë dy të rinjtë e shpallur në kërkim nga policia si autorë të dyshuar të sulmit me armë zjarri ndaj Alban Bruçaj.
Ngjarja u regjistrua mbrëmjen e 25 gushtit 2022 në lagjen "Partizani" të Shkodrës, ku të rinjtë kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të makinës së Bruçaj, i cili fatmirësisht shpëtoi pa asnjë lëndim.
Ai ka deklaruar në polici se rreth orës 21:30 po kthehej në shtëpi me makinë, kur dy persona të cilët pretendon se nuk i njohu u afruan me motor dhe e qëlluan me breshëri.
19 plumba mësohet se shkrehën ndaj 25 vjeçarit i cili shpëtoi pa lëndime, pasi siç ka deklaruar vijoi të lëvizë me makinë gjatë kohës që ishte nën sulm.
Por policia në zbardhjen e ngjarjes deklaroi sot se sulmi i 25 gushtit e ka zanafillën në një konflikt të dy viteve më parë mes Bruçaj dhe Tornato Fushës, i shpallur tashmë në kërkim. Ky i fundit është djali i biznesmenit dhe ish-presidentit të Vllaznisë Valter Fusha.
Ora News mëson se Bruçaj e ka plagosur Fushën me mjete prerëse pas një konflikti të çastit.
Ngjarja u mbajt e fshehur dhe asokohe mësohet se u tentua për një pajtim mes palëve por siç duket një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe të rinjtë shkrehën armën ndaj Bruçaj.
