Gledian Llatja si Veliaj/ Degradohet parku “Rinia” edhe në Elbasan
Dita ditës parku më i madh i Elbasan, parku "Rinia" po shkon drejtë degradimit. Betonizimi masiv dhe mungesa e mirëmbajtjes po bëjnë që qytetarët që e frekuentojnë të jenë gjithnjë e më të pakte.
Edhe pse u mendua se do të ishte një pikë relaksi për të gjithë qytetarët e Elbasanit, parku “Rinia”, duket se dita ditës po e humb bukurinë e tij, pasi për shkak të mosmirëmbajtjes dhe infrastrukturës jo të përshtatshme, qytetarët janë duke e frekuentuar gjithnjë e më pak.
Vetë qytetarët në Elbasan shprehen të revoltuar me mungesën e mirëmbajtjes nga ana e institucioneve vendore të parkut.
“Nuk ka stola, pse mos të ketë stola të ulen pleqtë dhe të rinjtë”
Mungesa e infrastrukturës mbetët shqetësimi kryesor. Sipas frekuentuesve parku e ka humbur natyralitetin dhe tashmë është kthyer në një vend jo relaksues.
“Duhet të kishte më shumë gjelbërim, lekët i kanë marrë. Kanë bërë vetëm gropa, ishte më mirë”
Për disa të tjerë betonizimi dhe humbja e gjelbërimit i ka zhdukur çdo vlere atij që konsiderohet parku shekullor i Elbasanit.
“Më shumë gjelbërim duhet të kishte, të kishte dhe stola rreth e qark të uleshin njerëzit përqark, se na kanë mbledhur këtu të gjithëve."
Parkut Rinia në Elbasan, duket se i ka mbetur vetëm emri, pasi ndërhyrjet e bëra me miliarda lekë investime i kanë dhënë pamjen e një pamje të "çuditshme" me mure prej guri dhe nënkalime të pakuptueshme që kanë prishur ambientin e tij natyror. Ndërkohë që gjatë natës në të gjithë parkun mungon ndriçimi.
