Pakti bashkon politikën
Albin Kurti reagoi për marrëveshjen e arritur me Serbinë duke thënë se qytetarët nga dy anët e kufirit do të lëvizin pa pengesa. Pakti mes Prishtinës dhe Beogradit është përshëndehur edhe nga presidentja e Kosovës por edhe nga politika shqiptare. Presidenti Begaj, kryeministri Rama dhe kreu i PD-së Berisha vlerësuan dakordësinë e arritur dhe shpresën besimin tek dialogu si zgjidhja e vetme e problemeve.
Kryeministri, Albin Kurti, njoftoi pas marrëveshjes së arritur me ndërmjetësimin e SHBA dhe BE, se qytetarët me dokumente identifikimi të lëshuara nga shteti i Kosovës, do të kalojnë pa pengesa kufirin me Serbinë në të gjitha vendkalimet kufitare.
Njësoj vendimi do të vlejë edhe për kahjen e kundërt të hyrjes në Kosovë të shtetasve me dokumente identifikimi të Serbisë.
Kurti thekson se fryma e bisedimeve parimore e të barabarta në Bruksel është reciprociteti.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, reagoi ndaj marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë duke theksuar se liria e lëvizjes ështe themeli i shoqërive demokratike e i vlerave evropiane.
Sipas saj, Republika e Kosovës çdo ditë e më shumë po kontribuon në paqe dhe stabilitet.
Osmani falenderon SHBA dhe BE për rolin e tyre mbështetës ndërsa shton se shteti i kosovës do të vazhdojë pandalshëm angazhimin drejt njohjes reciproke.
Edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e përshëndeti marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë duke shtuar se ajo është në interesin më të mirë të të gjithë qytetarëve.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi lajm i bukur zgjidhjen me dialog e çështjes së lëvizjes së lirë mes Serbisë e Kosovës.
Ai uron të dy palët uroj që ky zhvillim ta çojë dialogun në një nivel të ri, për të mos humbur kohë dhe energji.
Sali Berisha thekson se ka mbështetur pa lekundje zgjidhjen e këtij problemi të krijuar nga pala serbe mbi bazën e reciprocitetit dhe barazisë midis palëve.
Kreu i PD vlerëson lart kontributin e të deleguarve të veçantë per dialogun Kosovë-Serbi të BE dhe SHBA, Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Eskobar, duke shtuar se vetëm një Ballkan i vendeve sovrane dhe te barabarta do mund të jetë një rajon paqe, stabiliteti dhe integrohet i sigurtë në BE dhe NATO.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, e cilëson marrëveshjen të mirëpritur dhe pozitive dhe shton se vetëm nëpërmjet vijimit të dialogut të lehtësuar nga BE dhe SHBA, si dhe respektimit të frymës dhe vlerave europiane mes Kosovës dhe Serbisë, mund të arrihet në një zgjidhje e qëndrueshme.


