Opozita përshëndet heqjen e dokumenteve Kosovë-Serbi: Vetëm një Ballkan i vendeve sovrane do mund të jetë një rajon paqe
Opozita ka përshëndetur marrëveshjen Kosovë-Serbi për heqjen e dokumenteve për hyrje-daljet mes tyre.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha e vlerëson një hap të rëndësishëm në drejtimin e duhur.
Berisha: Të dashur miq, Kosova dhe Serbia ranë dakord për zgjidhjen e problemit të dokumentave bazuar mbi parimin e barazisë dhe reciprocitetit të kërkuar nga qeveria e Kosovës dmth njohjen respektive të dokumentave të njëra tjetrës dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve. Partia Demokratike ka mbështetur pa lekundje zgjidhjen e këtij problemi të krijuar nga pala serbe mbi bazën e reciprocitetit dhe barazisë midis palëve.
Me këtë rast, Partia Demokratike, duke vlerësuar lart kontributin e të deleguarve të veçantë per dialogun Kosovë-Serbi të BE dhe SHBA, Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Eskobar, si dhe te Sekretarit te Pergjitheshem te Nato-s Stoltenberg përshendet arritjen e kësaj marrëveshje si një hap i rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe uron që mbi bazën e parimeve te barazisë dhe reciprocitetit, parime universale në marrëdhëniet midis vendeve, Kosova dhe Serbia të zgjidhin me sukses problemet e tjera të medha midis dy vendeve.
Për Berishën, vetëm nje Ballkan i vendeve sovrane dhe te barabarta do mund të jetë një rajon paqe, stabiliteti dhe integrohet i sigurtë në BE.
Edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, shkruan se vetëm nëpërmjet vijimit të dialogut të lehtësuar nga BE dhe SHBA, si dhe respektimit të frymës dhe vlerave europiane mes Kosovës dhe Serbisë, mund të arrihet në një zgjidhje e qëndrueshme në thelb të së cilës duhet të qëndrojë njohja reciproke midis dy shteteve.
Meta: I mirëpritur dhe pozitiv lajmi i dhënë sot nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell sipas të cilit "Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e ID-së së Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e ID-së serbe”.
Partia e Lirisë beson se vetëm nëpërmjet vijimit të dialogut të lehtësuar nga BE dhe SHBA, si dhe respektimit të frymës dhe vlerave europiane mes Kosovës dhe Serbisë, mund të arrihet në një zgjidhje e qëndrueshme në thelb të së cilës duhet të qëndrojë njohja reciproke midis dy shteteve.
Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve, bëri të ditur shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.
Kjo marrëveshje nënkupton se Serbia, pas 11 vjetësh, do të ndalë së lëshuari dokument për hyrje-dalje për shtetasit e Kosovës, kur ata hyjnë në territorin e saj.
Kosova, më 1 gusht, për disa orë lëshoi dokumente të tilla, por vendimi u përcoll me barrikada nga serbët në veri të Kosovës. Pasi ata hoqën barrikadat, Qeveria në Prishtinë, shtyu vendimin për 1 shtator. Ndërkaq, për çështjen tjetër, atë të targave, palët ende nuk kanë marrëveshje dhe ky vendim pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator.
Deri te marrëveshje për dokumentet erdhi pas angazhimit të diplomatëve evropianë dhe amerikanë të cilët kërkuan nga palët që të arrinin një ujdi dhe të shmangnin dhunën në veri të Kosovës.
Borrell tha se kjo marrëveshje do të mundësojë që qytetarët e Kosovës dhe Serbisë të lëvizin me letërnjoftimet përkatëse.
Sipas Borrell kjo ishte një zgjidhje evropiane.

