"Hap kanal e prish! Banorët ankohen për rrugët në Tiranë: Këta vetëm punë nuk bëjnë, vjedhje po
Ndërhyrja në rrugë e Ujësjellës-kanalizimeve Tiranë, ka nxitur reagimin e qytetarëve. Rrugët e mbushura vetëm me zhavorr dhe dëmtimi i shumë akseve si pasojë e punimeve të lëna përgjysmë është kthyer në metodologji nga UKT. Banorët apelojnë marrjen e përgjegjësive nga ky institucion.
Punimet e Ujëzjellës Kanalizimeve Tiranë në rrugët e kryeqytetit kanë lënë gjurmë dherash e gropash edhe në zonën e njohur si Rruga Ura në kryeqytet.
Përkatësisht rrugët “Fitnete Rexha” dhe “Vangjel Capo” të lidhura me njëra tjetrën janë tërësisht të dëmtuara, pasojë e punimeve të lëna përgjysmë.
Asnjë tabelë ekzistuese që të tregojë se në këtë rrugë po kryhen punime çka do të thotë se UKT e ka mbaruar punën e saj duke hedhur përsipër vetëm zhavorr.
Prej më shumë se 6 muajsh gjendja e tyre është kthyer shqetësuese për banorët e kësaj zone.
“Kur e bëjnë një gjë ta bëjnë të rregullt. Vetëm dhe. Është shqetësim i madh por kujt ti thuash. Mbyll një kanal, hap kanal tjetër. Gërmohet dhe më pas u hidhet asfalti. Çfarë punimesh janë këto. Ç’janë këta firma hajdutësh në 2022” thonë banorët.
Ndotjen që vjen si pasojë e gjendjes së rrugës e konsiderojnë të patolerueshme.
“Nuk është normale kështu. Ka gropa, dhe”
Këto nuk janë të vetmet rrugë mbi të cilat UKT nuk mban përgjegjësi të kryejë punën deri në fund.
Përgjatë vëzhgimeve të kryera nga grupi i xhirimit të OraNews vërëhet se metodologjia e mbushjes së gropave vetëm me dhe është e njëjtë në shumë lagje të Tiranës. E megjithë shqetësimin e qytetarëve askush nuk e ka marë mundimin të ndërhyjë në terren.
