Kurti fiton reciprocitetin, Kosova dhe Serbia heqin dokumentet për hyrje-dalje

Kurti ka arritur fitoren e tij të parë diplomatike në lidhje me reciprocitetin me Serbinë. Ai ka mundur që të fitojë për heqjen e përdorimit të targave të kohës së Milosheviçit dhe ka negociuuar për sa i përket dokumenteve që përdorin serbët në veri të Kosovës. Ata që kanë karta identiteti serbe do të hyjnë në Kosovë lirshëm, pa u pajisur me dokumente të tjera.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve, bëri të ditur shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

 “Në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, Serbia është pajtuar që të heqë dokumentet për hyrje-dalje për qytetarët me letërnjoftime të Kosovës dhe Kosova është pajtuar që të mos lëshojë dokumente të tilla për qytetarët që posedojnë karta të identitetit të Serbisë”, tha kryediplomati i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell përmes një postimi në Twitter.

Ecejakja e dy zyrtarëve të lartë perëndimorë, Lajçakut dhe Escobarit, ka sjellë rezultate pozitive sa i përket uljes së tensioneve mes palëve.

Kosova do të fillojë të zbatojë reciprocitetin me Serbinë, teksa targat e kohës së Milosheviçit nuk do të përdoren më në Kosovë. Por u arrit edhe marrëveshje sa i përket dokumentacionit.

Sa i përket dokumentacionit, Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ndaj ajo nuk pranon dokumente për serbët që banojnë në Kosovë që të tregojnë se ata janë pjesë e një shteti tjetër, të pavarur.

Serbët në veri janë të pajisur kryesisht me dokumente që ua jep Serbia, vend i cili ka vite që pajis me dokumente të posaçme për shtetasit e Kosovës kur hyjnë në territorin e saj.

Kjo pikë ishte edhe shkaktare për ngërç në dialogun në Bruksel. Ndërmjetësimi i Brukselit ka rezultuar i suksesshëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Edhe i dërguari special amerikan Escobar ka reaguar në një intervistë me mediet serbe më herët duke thënë se duhet të largohemi nga narrativa se Kosova është Serbi dhe duhet të themi se Kosova dhe Serbia duhet të jenë në Evropë.

Për çështjen tjetër, atë të targave, palët ende nuk kanë marrëveshje dhe ky vendim pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator.

Kjo marrëveshje nënkupton se Serbia, pas 11 vjetësh, do të ndalë së lëshuari dokument për hyrje-dalje për shtetasit e Kosovës, kur ata hyjnë në territorin e saj.

Videomesazhi 

Borrell tha se kjo marrëveshje do të mundësojë që qytetarët e Kosovës dhe Serbisë të lëvizin me letërnjoftimet përkatëse.

Më pas, përmes një video-mesazhi, Borrell tha se kjo marrëveshje është në interes të qytetarëve të të dyja shteteve.

"Dua të falënderoj të dy liderët që e arritën marrëveshjen, dhe në veçanti presidentin Vuçiç që ka treguar përgjegjësi për lidership", tha ai.

Borrell falënderoi edhe Shtetet e Bashkuara për mbështetjen dhe shtoi se puna për lirinë e lëvizjes ende "nuk ka përfunduar".

"Ka ende probleme të pazgjidhur. Pres nga dy liderët që të vazhdojnë të tregojnë pragmatizëm dhe konstruktivitet në mënyrë që të zgjidhet problemi i targave. E kam thënë disa herë, në kohën e luftës në Ukrainë, me sfidat që po përballen evropianët, ne në Evropë nuk na duhen probleme të tjera, nuk na duhen më tensione. Na duhen zgjidhje. Na duhet zgjidhje për Ballkanin Perëndimor dhe sot kemi arritur një zgjidhje, por ka ende probleme të pazgjidhura dhe ne duhet të vazhdojmë të punojmë për t’i zgjidhur ato", tha ai.

Reagoi Kurti 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se me marrëveshjen e arritur do të mundësohet që qytetarët e Kosovës dhe ata të Serbisë të mund të kalojnë “pa pengesa” pikëkalimet kufitare midis dy shteteve.

“Fryma e bisedimeve parimore e të barabarta në Bruksel është reciprociteti. Zgjidhjet normalizuese duhet ta kenë reciprocitetin përbrenda, teksa marrëdhëniet e mira fqinjësore e nënkuptojnë atë”, shkroi Kurti në Facebook.

 

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, falënderoi të dërguarin e Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për arritjen e kësaj marrëveshjeje.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, tha se marrëveshja e arritur për dokumentet për hyrje-dalje, siguron paqe dhe stabilitet.

Gjatë kësaj jave, Escobar dhe Lajçak qëndruan në Kosovë dhe Serbi, ku diskutuan me liderët shtetërorë dhe partiakë për çështjen e dokumenteve dhe targave. Ata thanë se palët duhet të zotohen se do të shmangin dhunën më 1 shtator.