Llogaraja mes flakëve, zjarri afër fshatit turistik të Palasës, ndërhyjnë helikopterët

Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë në Parkun Kombëtar të Llogarasë. Flakët kanë nisur rreth mesditës së të martës, ndërsa pak orë pas zjarrit u bë e mundur ndërhyrja me helikopter, dhe pavarësisht kësaj flakët vijojnë edhe gjatë së mërkurës.

Këto janë pamjet e zjarrit në Llogara mbrëmjen e së martës.

Vatrat e para u shënuan rreth orës 12 të mesditës, ndërsa përfshinë një sipërfaqe të konsiderueshme.

Pak metra larg fshatit Turistik të Palasës flakët dogjën dhjetëra hektarë.

Si rrallëherë në vendin tonë, pak orë pas nisjes së zjarrit krahas zjarrfikësve të Himarës, dhe vullnetarëve atje u paraqit edhe një helikopter.

Pavarësisht ndërhyrjes nga toka dhe ajri, vatrat e zjarrit vijojnë të mbeten aktive në Parkun Kombëtar.

Shkak i zjarrit paraprakisht dyshohet të jetë bërë një rrufe.

Qindra hektarë sipërfaqe janë përfshirë nga zjarret këtë sezon veror, ndërsa institucionet shpesh-herë kanë marrë Kritika për shkak të mungesës së mjeteve për të ndërhyrë nga ajri.