Hera e dytë që i vendoset tritol, shpërthim gjatë natës në shtëpinë e 60-vjeçarit në Tiranë
Një sasi lënde plasëse ka shpërthyer mëngjesin e sotme në rrugën "Siri Kodra", afër një banese dy katëshe në pronësi të shtetasit Remzi Ponari, 60 vjeç.
Sipas policisë si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar xhamat e biznesit në katin e parë, që ndodhet poshtë banesës, ndërsa nuk dihen akoma shkaqet.
Mësohet se kjo nuk është hera e parë që Ponarit i është vendosur tritol dhe dyshohet se ngjarja mund të ketë lidhje me biznesin e tij, ose me familjarët apo të afërmit e tij.
Shpërthimi ka thyer xhamat të cilat ndodheshin në katin e parë, pasi Ponari zhvillon një biznes të përpunimit të xhamave.
Shpërthimi ka alarmuar banorët në zonën pranë banesës, çka ka bërë që të marrin menjëherë në telefon policinë për ngjarjen.
Pritet që policia të marrë në pyetje qiramarrësit e dyqanit si dhe pronarin e ndërtesës Remzi Ponari për ngjarjen.
Ndërkohë policia po kontrollon kamerat pranë banesës së Ponarit për të parë lëvizjen dhe identifikimin e autorëve të krimit.

