“Thriller” spanjoll/ Simeone nuk e aktivizon Griezmann i detyruar nga klubi
Arsyeja pse Cholo Simeone e përdor Antoine Griezmann me “pikatore”? Ndoshta është shumë e thjeshtë! Barcelona beson se klubi i Atletico Madrid i ka kërkuar trajnerit ta aktivizojë sa më pak e në mënyrë të moderuar francezin në mënyrë që të mos hyjë në fuqi klauzola automatike që e detyron klubin madrilen ta blejë sulmuesin.
Griezmann u bashkua me Atleticon një vit më parë me formulën e huazimit për dy sezone në të cilat duhet të luajë 50 % të ndeshjeve e që Atletico Madrid të detyrohet ta blejë në vitin 2023. Palët kanë rënë dakort që nëse sulmuesi francez arrin kuotën 50 % të ndeshjeve të luajtura, atëherë Atletico duhet të paguajë rreth 40 milionë euro për kartonin e tij dhe kjo tashmë është një çështje e mbuluar me mister.
Sezonin e kaluar, kampioni i botës u përdor rregullisht nga Simeone që e aktivizoi në 37 ndeshje ku në 30 prej tyre është aktivizuar të paktën një pjesë loje. Gjithsesi, gjatë dy ndeshjeve të para të këtij sezoni, Simeone e ka ulur në pankinë në të dyja rastet duke i rezervuar vetëm 30 minuta në total. Në Katalonjë janë të bindur se kjo sjellje ndikohet nga klauzola në kontratë që në këtë rast mund të shkatërrojë edhe karrierën e një lojtari.
