Donte të merrte pjesë në varrimin e vëllait, burgu i refuzon lejen Eduard Xhezos. Shpati Lena ishte i pandehur
Eduard Xhezo, i dënuari me 15 vite burgim për vrasjen e 4 gushtit 2018 ndaj Arben Beqirajt në Vlorë, nuk ka mundur të përfitojë një lejë disa orëshe për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të vëllait të tij, Hakim Xhezo.
“Ora News” mëson se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i ka refuzuar kërkesën Eduard Xhezos, për të marrë pjesë në varrimin e të vëllait, që më 18 gusht 2022 u ekzekutua në autostradë së bashku me Shpati Lenën, brenda një automjeti tip Benz.
KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE
Megjithëse Xhezo, ka kërkuar shoqërimin e tij me trupë të përforcuar policësh dhe garantuar Policinë e Burgjeve se nga ana e tij, nuk mund të ndodhte asnjë incident, sërish policia e burgjeve dhe policia lokale e Vlorës, nuk ka dhënë pëlqimin për garantimin e sigurisë së tij.
Eduard Xhezo vuan dënimin në burgun e sigurisë së zakonshme në Lushnjë, aty ku ditën e ngjarjes vëllai i tij Hakimi dhe Shpati Lena, po shkonin ta takonin dhe ti çonin ushqime e veshëmbathje.
Një burim pranë Drejtorisë së Burgjeve tha për “Ora News”, se kërkesa e Xhezos ishte refuzuar pasi situata e krijuar në Vlorë, nuk ishte e përshtatshme për garantimin e sigurisë së tij nga Lushnja në Vlorë dhe anasjelltas në kthim.
Vrasja pikërisht në autostradë e Hakim Xhezos dhe Shpati Lenës, mund të sillte një skenar të ngjashëm edhe me Eduard Xhezon, i cili gjatë shoqërimit për të marë pjesë në varrimin e vëllait, ekspozohej seriozisht tek kundërshtarët e tij.
Aktualisht prej më shumë se 48 orë policia e Vlorës dhe prokuroria e qytetit, po punojnë për identifikimin e autorëve të këtij atentati.
Në total në vendngjarje janë sekuestruar 25 gëzhoja automatiku, ndërsa viktima nuk kanë pasur asnjë mundësi reagimi, për shkak të breshërisë së plumbave që vinin nga dy armë të ndryshme. Brenda në makinën e viktimave, nuk është gjetur asnjë send i paligjshëm, ndërsa në mjetin e autorëve u gjendën 3 automatikë të djegur plotësisht.
Dy viktimat i përkisnin botës së krimit në Vlorë, ku Hakim Xhezo, ishte i implikuar në tregtinë e drogës.
Ndërsa Shpati Lena, rezulton protagonist së bashku me Eduard Xhezon, në vrasjen e Arben Beqirajt ose “Benit të Çeçesë”, ngjarje kjo e ndodhur në 4 gusht 2019 pas një sherri për kalin.
Për këtë ngjarje Shpati Lena u dënua me gjobë nga gjykata e Vlorës për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”. Ndërsa me 15 vite burgim u dënua Eduard Xhezo, që momentalisht është në burgun e Lushjës.
Tre vitë pas kësaj ngjarje, vritet po në muajin gusht 2022 (18 gusht) Shpati Lena dhe vëllai i Eduardit, Hakim Xhezo. Dy viktimat u masakruan me 25 plumba teksa udhëtonin nga Vlora në drejtim të Lushnjës, për të takuar Eduard Xhezon brenda në burg.
Shpati Lena u mor i pandehur para vrasjes
Ditë para vrasjes, Shpati Lena mësohet të jetë marrë i pandehur nga prokurori Erjon Shqarri për akuzën e “Përkrahjes së autorit të krimit”.
Kjo pasi në muajin Mars 2022, Lena u kap brenda një makine, së bashku me Kristi Drollin dhe Ariel Kingjin, kunatin e Eduard Xhezos, mëson Ora News.
Në dy marsupet e Drollit dhe Kingjit, policia gjeti armë dhe gjykata vendosi mbylljen në burg të tyre. Ndërsa Shpati Lena që ndodhej në makinë u procedua dhe u mor i pandehur për akuzën e “Përkrahjes së autorit të krimit”.
Çështja penale ndaj tre persona tashmë ndodhet në gjykatë për t’ju nënshtruar procesit gjyqësor,por pas vdekjes së Shpati Lenës, akuza ndaj tij do pushohet.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

