Atentati në Vlorë/ Dy viktimat po shkonin të takonin Eduard Xhezon në burgun e Lushnjës. Në makinë u gjetën rroba e ushqime
Shpati Lena dhe Hakim Xhezo ishin nisur drejt burgut të Lushnjes kur iu bë atentat në dalje të Vlorës. Në mjet iu gjet rroba dhe ushqime, ndërsa do tia çonin Eduard Xhezoz i dënuar me 15 vite burg për vrasjen e Arben Beqirajt
Viktimat e atentatit në Panaja të Vlorës duket se ishin vënë në ndjekje prej agresorëve.
Burimet kanë bërë të ditur se mëngjesin e sotëm (18 gusht 2022) Geno alias Shpati Lena dhe Hakim Xhezo, ishin duke udhëtuar nga Vlora në drejtim të Lushnjës, aty ku mbahet në burg Ermal alias Eduard Xhezo.
Të dy viktimat e sotme po i çonin ushqime dhe rroba veprim që duhet ta kënë kryer edhe më parë pasi itinerari i tyre i lëvizjes, është studiuar mirë nga personat që po planifikonin vrasjen.
Momenti i goditjes është kryer pikërisht në një zonë ku nuk ka kamera sigurie të bizneseve, por dhe s’ka lëvizje të qytetarëve.
Dyshimet për ngjarjen janë për shkak të hakmarrjes ku pasi Eduard Xhezo rezulton i dënuar me 15 vite burgim për akuzën e “Vrasjes me dashje” në dëm të Arben Beqirajt ose “Beni të Çeçesë” ngjarje kjo e ndodhur në 4 gusht 2019 në plazhin e Vlorës. Ky dënim është dhënë edhe për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarit” dhe “Plagosjes me armë zjari ndaj djalit të Arben Beqirajt, Ergest Beqiraj dhe Nesim Hodaj.
Prokuroria pretendonte dhe mbante qëndrimin për Vrasje me paramendim kryer në bashkëpunim, ndërsa gjykata zbuti akuzën në “Vrasje me dashje”, duke hequr totalisht dhe pjesën e bashkëpunimit.
Për këtë ngjarje u dënua me gjobë, Shpati Lena dhe kunati i Eduardit, Ariel Kingji, të cilët u akuzuar nga prokuroria për “Moskallëzim krimi”.
Me vendimin e gjykatës nuk janë pajtuar familjarët e Arben Beqirajt dhe vetë prokuroria e Apelit në Vlorë, e cila në fillim të vitit 2022 ka depozituar një rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar një masë dënimi më të lartë për Eduard Xhezon dhe dy personat e tjerë, të dënuar me gjobë.
Lena në muajin maj 2022, u arrestua nga policia e Vlorës në zonën e “Ujit të Ftohtë”, pasi së bashku me Kristi Drollin dhe Ariel Kingjin,kunatin e Eduard Xhezos, është kapur me dy armë brenda në makinë.

Dy pistoletat i morën përsipër Kingji dhe Drolli, të cilët aktualisht janë në burg. Ndërsa për Shpati Lena, gjyqtarja e Vlorës, Arbana Selmanaj, ka vendosur masën e sigurisë “Detyrim për tu paraqitur në polici”.
Lena lëvizte lirshëm në qytetin e Vlorës, ndërsa mëngjesin e sotëm u ekzekutua me dhjetëra plumba brenda një makine tip Benz, duke udhëtuar me Hakim Xhezon. Në makinën e viktimave nuk janë gjendur sende të paligjshme.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
