Droga me postë nga Londra/ Gjykata lë në burg dy 18-vjeçarët që priten pakot
Gjykata e Tiranës la ne burg dy 18-vjeçarët e arrestuar dy dite me parë pas mbërritjes me postë nga Londra të një sasie lende narkotike kanabis sativa. Para togave të zeza ata mohuan se kanë pasur dijeni për lëndën narkotike por prokuroria dyshon se të arrestuarit janë pjesë të një trafiku që ka sjellë në vendin tonë mostra të kanabisit të prodhuar në shtëpi bari në Britani për të parë ecurinë e kësaj lloj droge në treg.
Dy 18 vjeçarët e arrestuar si pjesë e një rrjeti të trafikimit me postë të lëndëve narkotike nga Londra në Shqipëri u lanë sot në masën “arrest me burg” nga gjykata e Tiranës.
Me kërkesë të prokurorit Bledar Valikaj gjyqtarja Ardiana Bera vendosi mbajtjen në qeli pa afat për të rinjtë D. Shehu dhe M.Vata.
Të arrestuarit pretenduan se nuk kanë lidhje me trafikimin e lëndës narkotike dhe se pakot nuk kanë ardhur në emër të tyre Avokati i të arrestuarit D.Shehu pretendoi se klienti i tij është i mitur pasi nuk i ka mbushur ende 18 vjeç, ndërsa shpjegoi se pakon e ardhur nga Londra, ka marrë pasi ishte punonjës i një poste private.
Ndërsa i dyshuari tjetër M. Vata pretendoi se nuk ka lidhje me lëndën narkotike. Por prokuroria në dosjen e dërguar në gjykatë argumenton se sasia e lëndës narkotike e ardhur nga Londra ka qënë në mbikqyrje te policisë dhe dy të rinjtë kanë vepruar vetëm në momentin ku pakoja është tërhequr nga D Shehu.
Gjithashtu organi akuzës argumenton se pas arrestimit nga policia të Shehut ai është telefonuar nga i pandehuri tjetër M.Vata që dyshohej si pritës i mallit gjë që ka sjelle edhe arrestimin e tij. Sipas akuzës nga këqyrja e telefonit te Vatës janë gjetur të dhëna dhe foto që e implikojnë në këtë trafik.
Nga operacioni i koduar 'Green Mail 2', D.Shehut që po udhëtonte me taksi iu kapën dhe sekuestruan në cilësinë e provës material 2 pako me mbishkrimin “Ardit Brahaj”dhe “Armir Cena”, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 pako kartoni, brenda të cilave ndodheshin 5 qese me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, me peshë totale rreth 340 gramë.
Policia dhe prokuroria dyshojnë se bëhet fjalë për një rrjet trafiku nga Londra të cilët po testojnë në Shqipëri por edhe ne vende te tjera ecurinë që mund të ketë në treg lënda narkotike cannabis te prodhuar atje e cila për nga efektet është e përarfërt me heroinën.

