Berisha: Do të ketë koalicion opozitar, kandidatët do zgjidhen me primare
Kreu i PD-së Sali Berisha, ka thënë se do të ketë koalicion me Partinë e Lirisë, ndërsa tha se koalicioni do të përcaktojë rregullat e tij.
Në një deklaratë për mediat ai tha se kandidatët e PD do të zgjidhen vetëm me primare, ndërsa e ka konsideruar këtë të fundit si risinë më të madhe pas vendosjes së pluralizmit në vendin tonë.
Sali Berisha: Koalicion unë vlerësoj se do të ketë. Koalicioni do përcaktojë rregullat e tij, por çfarë do jetë në këtë koalicion për Partinë Demokratike, aksionet e PD, ato të gjitha do të zgjidhen me primare. Ne nuk heqim dorë kurrsesi. Ne konsiderojmë primaret si risinë e dytë më të madhe pas vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri. Vendosja e pluralitetit brenda partive është fundi i kryetarokracisë, forma më e vërtetë e demokracisë brenda një partie. Për ato që jemi zotuar, ne qëndrojmë plotësisht.
Kandidimi i deputetëve?
Berisha: Cilido që është deputet i PD dhe dëshiron të kandidojë është i mirëpritur t’i nënshtrohet primareve. Kryetari i PD dhe Kryesia de facto nuk kanë më asnjë pushtet mbi kandidaturat që plotësojnë kriteret nga dekriminalizimi. Ata që plotësojnë kriteret do të jenë të mirëpritur në këtë garë.
