Sillnin lëndë narkotike me postë nga Britania në Shqipëri, arrestohen dy 18-vjeçarët në Durrës (VIDEO)

Dy 18-vjeçarë janë arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se sillnin lëndë narkotike, nga Britania e Bashkuar në vendin tonë.

Policia bë me dije se në pranga kanë rënë të rinjtë, M. V., 18 vjeç dhe D. Sh., 18 vjeç, banues në Tiranë, dhe akuzohen për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Në kuadër të operacionit policor të  koduar “Green mail 2”, u sekuestruan 2 pako me 5 qese me lëndë të dyshuar narkotike kanabis.

 “Në vendin e quajtur “Rrethrrotulli”, Plepa, Durrës, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në taksinë me të cilën udhëtonte drejt Tiranës, shtetasi D. Sh. Si rezultat i kontrollit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 pako kartoni, brenda të cilave ndodheshin 5 qese me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, me peshë totale rreth 340 gramë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se pakot kanë ardhur me postë nga Mbretëria e Bashkuar në Shqipëri dhe se porositësi i tyre është shtetasi M. V., i cili ka dërguar shtetasin D. Sh. për t’i marrë pakot nga vëni i mbërritjes (Durrës) dhe për t’i sjellë në Tiranë.”- njofton policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Ky është operacioni i dytë policor i zhvilluar brenda 3 muajve të fundit, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet postës, nga Mbretëria e Bashkuar. Operacioni policor i koduar “Green mail” u zhvillua më 30 qershor 2022 dhe si rezultat u sekuestruan rreth 1.3 kilogramë kanabis dhe u vunë në pranga 2 shtetas.