“Pasaportat e Arta”, Meta: Rama në ikje kërkon të përfitojë sa më shumë, marrëveshje me personat që duan të pastrojnë para

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka komentuar nismën e re të qeverisë për “Pasaportat e Arta”.

Në një deklaratë për mediat, Meta tha se Kryeministri Edi Rama, duke qenë se është në proces largimi kërkon të përfitojë sa më shumë ndërsa shtoi se kërkon të bëjë marrëveshje me persona që duan të pastrojnë para.

Ilir Meta: Kjo çështja e pasaportave të arta apo të florinjta është sipas koncepteve të tij të “Ballkanit të Hapur” ku ka rëndësi që ata që janë në krye të këtij procesi të kenë për veten e tyre sa më shumë mundësira për përfitime ekonomike, financiare, në kurriz të vlerave europiane, të sigurisë kombëtare. Nuk është hera e parë që BE ka ngritur një shqetësim që kjo është një tentativë e hershme që unë e kam kundërshtuar dhe kur isha President. Rama duke qenë se është në proces largimi kërkon të përfitojë sa më shumë dhe kjo është një nismë për të bërë marrëveshje me persona që kanë para dhe dëshirojnë t’i pastrojnë. Ashtu siç është dhe nisma e Portit të Durrësit apo këto tenderat e fundit.