Tragjedia në Himarë, Meta: Të japin dorëheqjen 2 Ministrat dhe kryebashkiaku i Himarës ose të shkarkohen
Duke e konsideruar një ngjarje të paralajmëruar aksidentin tragjik në Potam të Himarës që i mori jetën vogëlushes 7-vjeçare, Ilir Meta thotë se kjo situatë nuk mund të kalojë pa përgjegjësi.
Sipas tij, ministrja e Turizmit, ministri i Brendshëm dhe kreu i bashkisë Himarë duhet të japin dorëheqjen ose të shkarkohen nga Rama.
Meta: Nuk është rastësi por një ngjarje e paralajmëruar. Vetëm pak kohë më parë dy qytetarë u plagosën në Jalë në rrethana të ngjashme. Asnjë masë nuk është marrë për të zbatuar ligjin, jo vetëm kaq por edhe cinizmi që mos prishni imazhin e turizmit më të sigurtë dhe më të mirë në rajon.
Zgjidhja është protesta dhe vendosja e llogaridhënies në çdo nivel, zgjidhja është dorëheqja e gjithë ministrave përgjegjës dhe kryetarit të bashkisë ku ka ndodhur ngjarja ose shkarkimi i tyre. Besoj se Shqipëria ka nevojë për protesta çdo ditë dhe kudo nga çdo qytetar. Derisa kryeministri dhe qeveria nuk ndalin së vjedhuri çdo ditë.
Dhe në momentin që flasim vjedhin në mënyrë të paligjshme me aferën e incineratorëve dhe kudo në gjithë Shqipërinë. Qytetarët duhet të shumëfishojnë intensitetin dhe vrullin e protestës, qëndresës, të bashkimit dhe të rivendosjes së kontrollit të tyre mbi politikën, të vrasjes së frikës dhe të triumfit të lirisë.
Sipas tij familja shqiptare ndodhet në gjendjen më të rëndë nga ana ekonomike, gjendja sociale, implikimi i të rinjve në trafikun e drogës
Meta: E vetmja rrugë është të rrisim përgjegjësinë. Papërgjegjshmëria duhet të marrë fund.
Të martën e 2 gushtit 2022 në plazhin e Potamit në Himarë, 7-vjeçarja Jonada Avdia humbi jetën pasi u përplas nga skafi i drejtuar nga Arjan Tase, efektiv policie.
