Pa ujë në verë, Veliaj i pret sërish ujin Astirit, hesht Ujësjellësi
Zakoni i përvitshëm i ndërprerjes së ujit në muajin gusht është rikthyer sërish në zonën e Astirit në Tiranë. Nën temperaturat 40 gradë familjarët kërkojnë ndërhyrjen e Ujësjellësit, por sërish kanë marrë si përgjigje heshtjen.
Mungesa e ujit të pijshëm e ka kthyer në stres jetesën e familjeve në Tiranë. Si çdo vit edhe këtë gusht dikush ka ndalur rrjedhën në tuba.
Prej dy ditësh banorët e zonës së Astirit po vuajnë thatësirën në rubinet, ku nuk pikon asnjë pikë ujë.
"Nuk ka asnjë pikë uji."
Thonë se nuk ja dalin dot me të blerë.
"Nuk ja dol dot duke e blerë ujin.Në këtë kohë të rrimë pa larë. Nuk na afrohet dot njeri se djersë. Me çfarë do lahemi?"
Ndaj në këto ditë ku temperaturat kanë shkuar deri në 39 gradë kërkojnë ndihmë nga Ujësjellësi.
"Jam vetë e shtata në familje, burrë e grua dhe djali me nuse. Çfarë mund të bëjmë ne pa ujë që dje. Duhet ta zgjidhin sa më shpejt se është gjynah nga Zoti."
"Vetëm banjo sa do."
Astiri është lënë në mëshirë të fatit, ku veç ujit, problem është dhe rruga që banorët ankohen.
"Kam 12 vjet që e kam blerë shtëpinë këtu, 12 vjet që na mbajnë me rrena. Nuk dalim dot në dimër te kjo rruga këtu. Deri në kat të shtatën na hipën pluhuri."
Madje për këtë shqetësim kanë vënë në dijeni dhe kryebashkiakun Veliaj.
"Kam folur unë direkt me Erion Veliaj, më tha: Së shpejti do rregullohet! Ka 5 vjet që kam fol dhe asgjë."
Edhe pse një lagje mjaft e populluar, ish-Astiri është kthyer më keq se një fshat i thellë i pajetuar.
