Djali merr makinën dhe bën drift në rrugë, nxjerr zbuluar dhe të atin, të dy pa leje drejtimi

Pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, në të cilën shfaqej një automjet tip "Citroen", drejtuesi i të cilit po bënte drift dhe manovra të rrezikshme, në vendin e quajtur "Rotondo e sharrës", Fier, shërbimet e Policisë Rrugore Fier bënë të mundur identifikimin e drejtuesit të automjetit.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin E. N., 17 vjeç, banues në Ndërnënas, për veprën penale "Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt", pasi ka bërë drift dhe manovra të rrezikshme, me automjetin tip "Citroen", të cilin e drejtonte pa leje drejtimi.

Gjithashtu, nga hetimet rezultoi se automjeti është drejtuar pa leje drejtimi edhe nga pronari, shtetasi A. N., 53 vjeç, banues në Ndërnënas, (babai i 17-vjeçarit), për të cilin filloi gjithashtu procedimi penal për veprën penale "Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt".

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.