Vdekja e 7-vjeçares në Himarë, Meta e Berisha: Zero siguri në plazh, dënojmë mungesën e shtetit!
Lidhur me ngjarjen tragjike në Himarë, ku një polici goditi për vdekje me skaf një 7-vjeçare kanë reaguar edhe Sali Berisha e Ilir Meta.
Kreu i PD-së, Berisha shkruan se siguria në plazhe është zero dhe se askush nuk pyet për ligjin, duke e dënuar ngjarjen si një krim.
Berisha: Siguria në plazhe ZERO! Për ligjin nuk pyet njeri. Krim i tmerrshëm! Skafisti, shef policie në Elbasan, A. Tase merr jetën e një fëmije 7 vjeç në det, në Himarë. I shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes për engjëllin që humbi. Dënoj me forcën më të madhe këtë krim të tmerrshëm nga ata për të cilët ligji nuk ekziston. Dënoj gjithashtu mungesën e plotë të sigurisë në plazhet tona. sb
Ndërsa kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta shkruan se e dënon me forcë të madhe situatën katastrofike të sigurisë publike në plazhe, në pikun e sezonit turistik.
Meta: Thellësisht i tronditur nga ngjarja tragjike në plazhin e Himarës, ku zyrtari i lartë i Policisë së Elbasanit A.T i mori sot jetën një vajze të mitur 7-vjeçare, e cila kishte ardhur me familjen për pushime në Shqipëri. Duke ju shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes dhe të afërmve për humbjen e vogëlushes së tyre të shtrenjtë, dënoj me forcën më të madhe situatën katastrofike të sigurisë publike në plazhe, në pikun e sezonit turistik, fatkeqësisht me pasoja kaq tragjike të përsëritura. Hetim i menjëhershëm i thelluar dhe ndëshkim të ashpër për shkeljen e ligjit nga drejtuesit e Policisë së Shtetit! Mjaft arrogancës dhe papërgjegjshmërisë në Policinë e Shtetit!

