Vdekja e 7-vjeçares nga skafi, Nano pezullon edhe drejtorin e Kufirit në Vlorë

Pas përjashtimit të policit që goditi për vdekje 7-vjeçaren në Himarë, Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ka pezulluar edhe Kryekomisar Shpëtim Hasanaliaj.

Ky i fundit mban postin e drejtorit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë.

Po ashtu është ngritur një grup i posaçëm, për të verifikuar zbatimin e porosive të dhëna së fundi nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për shtimin e masave të sigurisë në zonat bregdetare.

“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka pezulluar nga detyra, deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, Drejtorin e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Kryekomisar Shpëtim Hasanaliaj. Njëkohësisht, Drejtor Nano ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale, Departamentin për Kufirin dhe Migracionin dhe Departamentin për Rendin dhe Sigurinë Publike, për ngritjen e një grupi të posaçëm, për të verifikuar zbatimin e porosive të dhëna së fundi nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për shtimin e masave të sigurisë në zonat bregdetare.” – thuhet në reagimin e policisë.

Nano më herët i shprehu ngushëllimet e sinqerta familjes Avdia, për humbjen e jetës së vajzës së tyre 7-vjeçare, e cila u godit nga një mjet lundrues.

Oficeri i Policisë ndodhej me pushime në Himarë dhe duke drejtuar një mjet lundrues skaf, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe për pasojë mjeti lundrues ka goditur vajzën 7-vjeçare të familjes Avdia, e cila për shkak të plagëve të marra ndërroi jetë në vendngjarje.