"Anëtarësimi në BE kërkon përpjekje të qëndrueshme reformash" mesazhi i parë i ambasadores Hohmann në Shqipëri

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri Christiane Hohmann i paraqiti sot letrat kredenciale Presidentit shqiptar Bajram Begaj, pas emërimit të saj në qershor nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë/Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian Josep Borrell.

Ceremonia e paraqitjes së letrave kredenciale u zhvillua në zyrën e Presidentit dhe u pasua nga një takim mes të dyve.

Ambasadorja Hohmann e uroi Presidentin Begaj për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit. Ajo foli për progresin e arritur nga Shqipëria deri tani dhe sfidat që ka përpara, ndërsa vendi nis një kapitull të ri në rrugën e tij drejt BE-së.

“Procesi i anëtarësimit në BE ka nevojë për përpjekje të qëndrueshme reformash nga Shqipëria përtej procesit të negociatave. Unë dhe ekipi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri jemi gati ta mbështesim vendin dhe popullin e tij në këtë rrugë emocionuese drejt anëtarësimit në BE”, tha Ambasadorja Hohmann.

Nga ana e tij presidenti Begaj nënvizoi  “I ndërgjegjshëm për sfidat dhe vështirësitë që vetë BE-ja e Vendet Anëtare të saj po kalojnë pas agresionit rus në Ukrainë, shpreh besimin se vëmendja e Bashkimit Evropian ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor do të jetë edhe më e madhe, duke e konsideruar procesin e zgjerimit si instrumentin më të mirë gjeopolitik për adresimin e kërcënimeve ndaj paqes dhe sigurisë së rajonit dhe të kontinentit në tërësi”.

Ambasadorja Hohmann ka shërbyer si ambasadore e Gjermanisë në Estoni dhe më parë si ambasadore në Bosnje dhe Hercegovinë. Para kësaj, Ambasadorja Hohmann ka mbajtur poste të ndryshme diplomatike në SHBA dhe në Komisionin Evropian.